Premier League

Skuadrat londineze ‘zgjidhin qesen’, pritet merkato ‘e nxehtë’

Barazimi zhgënjyes në “Emirates Stadium” me Atletikon e Diego Simeones, në gjysmëfinale në Europa League, për më tepër duke pasur parasysh edhe rrethanat se si u arrit, vetëm sa konfirmoi zërat e shumtë, që në kor po kërkojnë prej kohësh ndryshime rrënjësore në klubin e famshëm londinez. Pas 22 vjetësh nën mbretërimin e veteranit Arsene Wenger, drejtuesit e “topçinjve” kanë bërë gati “kurën” prej 230 milionë eurosh për të hedhur themelet e Arsenalit të ri.

Për të përcaktuar një buxhet të tillë, duket se është marrë edhe mendimi i spanjollit Luis Enrique, që sipas The Sun konsiderohet edhe si favoriti kryesor për të marrë drejtimin e ekipit, pikërisht në fund të këtij sezoni, kur 68-vjeçari francez të largohet nga skuadra londineze. Për t’u sheshuar mbeten vetëm mosmarrëveshjet për pagën, pasi trajneri asturian kërkon që t’i garantohet shuma e 10 milionë eurove në vit, që ishte edhe kontrata vjetore e veteranit nga Alsas.

Luis Enrique do të bashkohej kështu me ish-drejtorin sportiv të Barcelonës Raul Sanllehi, që aktualisht punon pikërisht te “topçinjtë”, për të ndërtuar një strategji të përbashkët në merkato. Natyrisht synohet pak a shumë ristrukturimi i të gjithë reparteve, por sidoqoftë objektivi kryesor mbetet mesi i fushës, ku do të kërkohet me ngulm Radja Nainggolan i Romës.

Revolucionit duket se do t’i shpëtojë vetëm reparti i sulmit, ku dy lojtarët më të shtrenjtë të klubit Pierre-Emerick Aubameyang dhe Alexandre Lacazette për momentin është e sigurt që do të vazhdojnë të jenë pjesë e grupit. Natyrisht kur flitet për Premier League-n është e pamundur që të mos flitet për ndryshime, sidomos pas kontratës së re prej 5,136 miliardë stërlinash, pra 70% më të shtrenjtë, falë së cilës dy gjigantët Sky dhe BT, ish British Telecom, ruajnë të drejtat televizive të kampionatit anglez deri në fund të sezonit 2018-19.

Në lëvizje janë vënë edhe dy skuadrat e tjera të kryeqytetit britanik Chelsea dhe Tottenham Hotspur. Largimi i trajnerit aktual jepet pothuajse i sigurt nga tabloidët e shumtë, por sidoqoftë Antonio Conte është i mbrojtur mirë nga një kontratë tepër e majme, kështu që asnjëherë nuk i dihet, gjithsesi me ose pa 48-vjecarin italian në drejtim, “blutë” pritet gjithashtu të transformohen, për të mos mbetur prapa skuadrave të tjera.

Një lëvizje e kuptueshme duke pasur parasysh që këtë vit merkato në ishull mbyllet përpara nisjes së sezonit të ri, sidoqoftë sipas Daily Mail lë të kuptohet edhe vendosmërinë e Abramovich-it për të kontrolluar ai lëvizjet e klubit në këtë aspekt dhe jo trajneri, siç pretendonte Conte.

Të reja priten gjithashtu edhe në kampin e “spurs” dhe Daily Mail edhe në këtë rast bën të ditur se drejtuesit e Tottenham-it janë gati për të sakrifikuar 4 lojtarë si Danny Rose, Toby Alderweireld, Victor Wanayama dhe Mousa Dembele, për t’i garantuar kështu Mauricio Pochettino-s një thesar prej plot 200 milionë paundë për të investuar në merkato, për përforcimin e skuadrës.

Gjithçka pra në funksion të fitimit të një trofeu, që te “gjelat e Londrës” mungon prej plot një dekade, por gjithashtu edhe për të bindur sulmuesin kryesor të ekipit Harry Kane për të qëndruar edhe përtej kontratës aktuale, që përfundon në vitin 2022, duke shmangur në këtë mënyrë një transferim të mundshëm të lojtarit më të rëndësishëm që ka klubi në radhët e Realit të Madridit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency