‘Teatri’ i Milanos dhuron gola e spektakël, buzëqesh Juventusi (Video)
Juventusi arriti të triumfojë 2-3 në Milano dhe t’i shkojë akoma më pranë titullit të 7 radhazi në Serinë A. Gjithsesi, edhe në këtë derbi të Italisë, ishte pikërisht gjyqtari që veshi petkun e protagonistit, teksa debati mbi vendimet e tij duket se do të vijojë shumë gjatë.
Takimi filloi më mirë për bardhezinjtë, që u shfaqën më kërkues dhe arritën të gjejnë edhe golin e avantazhit, në minutën e 13’, kur Douglas Costa shfrytëzoi një rreshtim të gabuar të Candrevës dhe ndëshkoi Handanoviç.
Vetëm dy minuta më pas, gjithçka u komplikua për Interin, pasi mesfushori uruguaian Vecino, në një top të diskutueshëm me Mandzukiç, shkel me takë kroatin dhe pas VAR-it, Orsato vendos t’i tregojë kartonin e kuq.
Që nga ai moment loja tensionohet dhe arbitri detyrohet të ndëshkojë disa futbollistë të bardhezinjve, pasi vendosi që në fillim që të veprojë me dënim maksimal.
Loja vijoi të jetë e tensionuar, teksa zikaltrit patën pretendimet e tyre edhe në 2-3 raste ndërhyrjesh të gabuara, por të gjykuara si të rregullta nga Orsato.
Gjatë 6 minutave shtesë në pjesën e parë, Juventusi shënon edhe një tjetër gol, por që u anulua nga VAR, pasi ishte në pozicion të dukshëm jashtë loje. Nga ana tjetër, Interi rrezikoi në dy raste me Candrevën, por Buffon ishte në lartësinë e duhur për të shmangur golin.
Zikaltrit nuk dorëzohen gjithsesi dhe kërkojnë golin e barazimit, që e gjejnë në minutën e 52-të, kur Icardi devijon në rrjetë një top të krosuar në zonë nga portugezi Joao Cancelo. Në minutën e 58’, “San Siro” ulëret sërish, këtë herë pasi Orsato vendos të falë Miralem Pjaniç, që kishte një karton të verdhë dhe nuk merr të dytin, ndonëse ndërhyrja ndaj Rafinhës ishte vërtetë e ashpër.
Në minutën e 65-të tifozëria zikaltër do të kalonte sërish në delir, pasi Perisiç bën gjithçka mirë në krahun e majtë, futet në zonë dhe kërkon pasimin për Icardin, por Barzagli ndërhyn më përpara dhe devijon topin në rrjetën e Buffon.
Zikaltrit nuk e besojnë ende, pasi me një lojtar më pak, sapo kanë përmbysur rezultatin, ndërsa në krahun tjetër, Allegri kryen të 3 zëvendësimet, duke hedhur në fushë Dybalën, Bernardeschin dhe Bentancour, ndërsa pikërisht argjentinasi i afrohet golit të barazimit me goditje dënimi, por Handanoviç bën mrekullinë, duke grushtuar.
Gjithsesi barazimi për skuadrën e Allegrit vjen në minutën e 87’, kur Cuadrado bën gjithçka mirë në zonë dhe kthen një pasim drejt qendrës, që Skriniar e devijon në rrjetën e Handanoviç. Vetëm dy minuta më pas, është Higuain që shënon golin e avantazhit për bardhezinjtë, pasi sheh sërish Santon të gabojë dhe rikthen edhe njëherë Juventusin në avantazh.
Juventusi ngjitet kështu në kuotën e 88 pikëve, 4 më tepër se Napoli që luan nesër ndaj Fiorentinës, ndërsa Interi komplikon maksimalisht arritjen në zonën Champions.



