Mediat angleze: Sarri dhe Conte shkëmbejnë pankinat
Një lajm mjaft i bujshëm vjen nga mediat angleze, që në fakt lidhet me të ardhmen e dy trajnerëve italianë, Maurizio Sarri dhe Antonio Conte. Kështu “The Mirror” raporton se është thuajse i sigurt tashmë kalimi i trajnerit të Napolit në “Stamford Bridge”, për të drejtuar Chelsean, duke filluar që nga vera e këtij viti.
Sarri është një trajner mjaft i shquar për lojën që aplikon me skuadrat e tij, teksa shpesh ka marrë edhe komplimentet e Pep Guardiolës, ndërsa Abramovich duket i bindur ta sjellë në Londër. Mediat angleze shkojnë edhe më tej, kur flasin për arritjen e akordit mbi bazën e një page prej 6 milionë eurosh në sezon dhe një kontrate 3-vjeçare.
Gjithsesi, ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje sot, ishte raportimi mbi të ardhmen e Antonio Contes, që po sipas tabloidit britanik, do të kthehet në Itali për të marrë pikërisht vendin e lënë bosh nga Sarri në pankinën e Napolit. Kjo duket si alternative më e mundshme, pasi vetëm te të kaltrit, Conte do të ketë mundësi të ‘hakmerret’ ndaj Juventusit, për atë ndarje aspak normale që pati me bardhezinjtë, para se të merrte stolin e kombëtares italiane.



