Sërish paqe në derbin e Anamoravës, Prishtina ‘ngec’ në Drenas
Qytetarët e Gjilanit ishin grumbulluar të gjithë në stadiumin e qytetit pasditen e sotme, ku për javën e 30 të Vala Superligës u luajt derbi i Anamoravës, mes Gjilanit dhe Dritës.
Dy tifogrupet, ‘Skifterat’ e Gjilanit dhe ‘Intelektualët’ e Dritës arritën të krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme në shkallët e stadiumit, të denjë për ndeshje të ligave më prestigjoze europiane.
Në fushën e lojës sfida nisi mjaft mirë me Gjilanin që kaloi i pari në avantazh, me anë të Hysenit në minutën e 34-t, ndërsa skuadra e Dritës barazoi me anë të sulmuesit Rexha, në minutat shtesë të pjesës së parë.
Edhe pjesa e dytë ishte mjaft e luftuar, sidomos nga Drita, që kërkonte fitoren për të vijuar rrugën drejt titullit kampion, por pa arritur të gjejë golin e fitores, duke bërë që sfida të përfundojë në barazim 1-1. Vlen të përmendet se të 4 derbit e Anamoravës, të luajtura këtë sezon, kanë përfunduar në barazim, ndërsa Drita e ka çuar në 26 numrin e takimeve pa humbje.
Ndërkohë në Drenas, Feronikeli ndali Prishtinën në barazim 0-0, duke mos u dhënë mundësi kryeqytetasve të përfitojnë nga ndalesa e Dritës kryesuese. Sulemjan Starova vijon të mos njohë fitore, pas 6 ndeshjesh në drejtim të Feronikelit, ku ka regjistruar 5 barazime dhe një humbje, ndërsa vlen të përmendet se 4 nga 5 barazimet, janë në shifrat 0-0.
Në ‘Përparim Thaçi’ të Prizrenit, vendasit e drejtuar nga Bledi Shkëmbi u mposhtën me rezultatin 0-2 nga Trepça 89, që drejtohet gjithashtu nga një trajner nga Shqipëria, si Gugash Magani. Oto John në pjesën e parë dhe Manaj pak minuta nga fundi, ishin autorët e golave për skuadrën nga Mitrovica, që tashmë ngjitet përkohësisht në vendin e 4-t.
Në sfidën tjetër të së mërkurës, Llapi u rikthye te fitorja, duke mposhtur Drenicën në Pudojevë, 1-0, falë një goli të shënuar nga sulmuesi kryesor, Mirlind Daku.
Vala Superliga vijon të kryesohet nga Drita me 60 pikë në 30 javë, e ndjekur nga Prishtina që ka grumbulluar vetëm 57 pikë, ndërsa lufta për titull duket se do të jetë e hapur deri në fund.



