Ramadani: Gjirokastra e meriton Europën, keqardhje për Vllazninë time
Gjirokastra në festë për Europën. Me javën e fundit për t’u luajtur, rezultati historik i Luftëtarit mbetet vetëm të formalizohet. Një arritje e madhe, duke llogaritur startin e dobët të kampionatit, me ekipin që vlerësohej se rrezikonte të luftonte për mbijetesë. Bileta për arenën ndërkombëtare do të vijë në këtë sezon, pas zhgënjimit të një edicioni më parë.
Behar Ramadani
“Arritëm në fund të një kampionati shuë të vështirë, edhe sepse nisja nuk ishte e mirë dhe rrezikonim të binim nga kategoria. Por fal punës së këtij grupi të mrekullueshëm lojtarësh jemi vërtetë afër Europës, na nevojitet vetëm një pikë. Ky qytet dhe ky grup futbollistësh e meritojnë të shkojnë në Europë”.
Ndërsa Ramadani shënonte në fitoren ndaj Skënderbeut dhe festonte për Europën, në vendlindjen e tij Vllaznia fitonte ndaj Kukësit, për të shpresuar deri në fund te mbijetesa.
Behar Ramadani
“Ishte gol i rëndësishëm për mënyrën si erdhi loja, por ishte meritë e skuadrës dhe e Bregut që fitoi penalltinë. Për Vllazninë besoj se ka shpresa të mira. Çfarë të them më tepër për Vllazninë time, i uroj vetëm suksese dhe të shohim në javën e fundit”.
Tashmë në moshën 28-vjeçare, mesfushori i rritur në akademinë e Vllaznisë ka pasur pak hapësira në ekipin ku u formua. Vetëm një sezon pjesë e kuqebluve dhe dy ndeshje të luajtura. Ai është një prej yjeve shkodranë që kanë spikatur larg vendlindjes.
Behar Ramadani
“Vllaznia nuk është vetëm në këto dy vite e rrezikuar, u bën disa vite që ndodhet në ujëra të tilla. Nuk është se ne lojtarët shkodranë bëjmë namin nëpër rrethe, por kur luajmë jashtë qytetit tonë na respektojnë më shumë, na duan më shumë dhe kemi patur rezultate. Vllaznia është një burim që nuk shteron kurrë, mendoj që duhet të jetë keqmenaxhim”.
Pas dy sezoneve në Gjirokastër, Ramadani ka tërhequr vëmendjen e klubeve shqiptare, por edhe jashtë vendit. Mesfushori vendos prioritetet për të ardhmen, ku objektivi i parë është të përfaqësohet në Europë me Luftëtarin.
Behar Ramadani
“Dua të përfaqësoj Luftëtarin në Europë në radhë të parë, më pas të shohim nëse do të vijë ndonjë ofertë konkrete. Do t’ia lë në dorë drejtuesve të klubit”.



