Messi “lë në baltë” Argjentinën, vetëm barazim ndaj Islandës
Nëse te Barcelona shkëlqen prej vitesh, Lionel Messi nuk po arrin të bëjë të njëjtën gjë te Argjentina, që nisi aventurën e saj në Kupën e Botës “Rusi 2018”, me një barazim ndaj Islandës.
Argjentina e nisi me mjaft entuziazëm takimin dhe gjeti golin e avantazhit në minutën e 19, me anë të sulmuesit Sergio Aguero, që pasi u shërbye në zonë nga Rojo, u rrotullua bukur dhe gjeti trekëndëshin e portës së kundërshtarëve.
Islanda reagoi menjëherë dhe arriti të rikthejë baraspeshën pas vetëm 4 minutash, pasi në të 23-tën ishte Finnbogason, që pas një rrëmuje në zonë, gjuajti dhe dërgoi topin në rrjetë.
Me barazimin 1-1 përfundoi pjesa e parë, ndërsa në 45-minutat e dyta Argjentina e shtoi presionin, në kërkim të golit të fitores. Rastin më të mirë e pati Lionel Messi, në minutën e 64-t, por ylli i Barcelonës humbi penalltinë përballë portierit islandez, Halldorsson.
Kapiteni i Argjentinës tentoi edhe në disa raste të tjera, që të gjejë golin, por nuk arriti të gjejë rrjetën e portës islandeze, duke bërë që sfida të përfundojë në barazim.



