Klopp për Shaqirin: Nuk është normal, momenti më i mirë në karrierë
Jurgen Klopp është i mahnitur nga aftësia e Xherdan Shaqirit për t’u përshtatur sa më parë me skuadrën e Liverpoolit, që vetëm pak ditë më parë e bleu nga Stoke City. Trajner gjerman i “The Reds”, duke folur për debutimin me një gol spektakolar të shqiptarit, e pranoi se ajo që ndodhi nuk ishte diçka normale.
“Nuk është normal. Pas vetëm katër ditëve në klub Shaqiri është përshtatur kaq mirë me stilin tonë të lojës. Sigurisht që ne jemi munduar ta ndihmojmë në pozicionin e tij në fushë, prandaj nuk e pati shumë të vështirë. I kemi dhënë liri që të luajë ashtu siç ai dëshiron, në mënyrë natyrale. Na ka dhënë më shumë dinamikë me shpërthimet e tij në sulm. Këtë bëri edhe në rastin e golit të Sturridge. Për të qenë i sinqertë, ishte edhe me mirë nga sa e prisja.
Klopp theksoi më tej se Shaqiri e ka pritur me shumë entuziazëm transferimin te Liverpooli.
“Kur erdhi te ne, ishte shumë i entuziazmuar, sepse për të është momenti më i mirë në karrierë, pas eksperiencave të fituara te Bayerni, Stoke City dhe Interi.”
Shaqiri luajti nga minuta e 68-të për Liverpoolin dhe impresionoi me paraqitjen e tij me një gol të shënuar dhe një asist në golin e Sturridge.



