Merkato

“Telenovela” Modriç, në Madrid po luhet seria e fundit

Ka nisur paraditen e sotme ajo që mund të cilësohet si seria e fundit e “telenovelës Modriç”, me kroatin që pret të përcaktojë të ardhmen e tij, të ndarë mes Realit të Madridit dhe Interit.

Nënkampioni i botës me Kroacinë ka takuar presidentin e Realit të Madridit, për t’i bërë të qartë vullnetin për t’u larguar, pasi në moshën 33-vjeçare, ka nevojë për një tjetër eksperiencë, para se t’i varë këpucët në gozhdë.

Nga ana tjetër, edhe presidenti i madrilenëve, Florentino Perez nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe ta lërë të largohet, aq më tepër pasi vetëm një muaj më parë humbi yllin tjetër të skuadrës, Cristiano Ronaldo.

Raportimet që vijnë nga Spanja janë vërtetë kontradiktore në lidhje me rezultatin e takimit, ndërsa Interi ka zgjedhur rrugën e heshtjes dhe ka lënë që gjithçka ta zhvillojë vetë lojtari dhe menaxherët e autorizuar.

I vetmi sinjal që vjen nga klubi zikaltër, është një postim i Ivan Perisiç në Instagram. Në foto është sulmuesi i Interit, bashkë me dy patriotët e tij zikaltër, Brozoviç dhe Vrsaljko, ndërsa provokimi i Perisiç vjen me frazën “Kush mungon”, dhe etiketon numrin 10 të Realit.

Vetëm pak minuta më vonë, Modriç reagoi duke pëlqyer postimin e Perisiç, por deri tani edhe ai po hesht, për të respektuar si tifozërinë e Realit, ashtu edhe atë zikaltër.

Ndërkohë vlen të theksohet se sot kanë mbërritur në Madrid edhe disa drejtues të lartë zikaltër, që kanë shoqëruar skuadrën dhe Spallettin për miqësoren që do të luhet nesër në mbrëmje ndaj Atleticos së Madridit.

Tifozëritë e të dy kampeve “kryqëzojnë” gishtat për të ardhmen e 33-vjeçarit, që është shpallur 4 herë kampion Europe me Realin e Madridit, ndërsa Luciano Spalletti ëndërron që në kthim për Milano, të marrë edhe Modriçin me vete.

Supersport.al do t’ju mbajë të informuar me lajmet dhe raportimet më të fundit që do të vijnë nga Spanja për këtë çështje..

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency