“Sirena” turke për sulmuesin belg të Liverpoolit
Turqit e Fenerbahce vazhdojnë bisedimet me Liverpool për të arritur një marrëveshje për huazimin e sulmuesit belg Divock Origi, në Stamboll.
23-vjeçari pëlqehet shumë nga gjigantët turq, të cilët duan ta marrin atë në formë huazimi, por nga ana tjetër “The reds” kërkojnë shitjet e sulmuesit, i cili ka gjetur pak hapësira në “Anfield”.
Drejtuesit e Fenerbahce janë të gatshëm edhe për blerjen përfundimtare të sulmuesit, por me kusht që anglezët të ulin pretendimet për kartonin e tij, të cilin e vlerësojnë rreth 29 milionë euro.
Kujtojmë që merkatoja në Premier League është mbyllur për operacionet në hyrje, por nuk i pengon klubet angleze të shesin lojtarët e tepërt, në kampionate ku merkatoja vijon të jetë e hapur.



