Luftëtari, debutimi në kampionat pa “treshen e artë”.
Sezoni i ri nis me shumë dyshime për Luftëtarin, pasi për herë të parë pas dy edicionesh duhet të luajë pa treshen magjike Abazaj-Bregu-Rroca. Bluzinjtë kanë qëenë surpriza më e këndshme në dy edicionet e fundit të kampionatit shqiptar, ku pikërisht kjo treshe ka qenë simboli i skuadrës.
Nga Abazaj dhe Bregu klubi gjirokastrit ka përfituar në aspektin financiar, ndërkohë që fantazisti Eduart Rroca vuan nga një dëmtim që e la jashtë fushave të lojës në fund të e sezonit të kaluar, por edhe në garat europiane. Te luftëtari janë të bindur që ky edicion do të jetë akoma më i mirë, por tifozët dhe specialistët e shohin me skepticizëm skuadrën e drejtuar nga Milos Kostic.
Pikërisht mungesa e treshes Abazaj-Bregu-Rroca ul ndjeshëm koeficientin e rrezikshmërisë për bluzinjtë, që gjithsesi kanë një grup të kolauduar me Vasil Shkurtajn në majën e sulmit. Madje edhe shorti është treguar zemërgjerë me gjirokastritët, pasi debutimi në kampionat vjen ndaj Kastriotit, që pavarësisht se ka punuar mjaft mirë gjatë verës në ndërtimin e skuadrës, ka handikapin e madh që vjen nga kategoria inferiore. Pritshmëritë ndaj Luftëtarit janë të mëdha, por mbi të gjitha interesi është i madh për të parë bluzinjtë pa treshen magjike në sulm.



