Kapiten Messi nis mbrojtjen e titullit, PSG udhëton në Guingamp
Ndonëse pa Cristiano Ronaldon, që u transferua në Serinë A te Juventusi, Primera Division është ende një nga kampionatet më interesante dhe më të ndjekura në botë.
La Liga startoi dje, ku u regjistrua surpriza e parë, me Levanten që befasoi andaluzianët e Betisit, duke i mposhtur në shtëpi me rezultatin e thellë 0-3.
Sot në mbrëmje ëeshtë radha e kampionëve në fuqi, Barcelonës, që të luanë ndeshjen e parë zyrtare të sezonit të ri, teksa në “Camp Nou” do të presin Alavesin, në një sfidë që do të startojë në orën 22:15 dhe do të transmetohet në Supersport 3.
Me Iniestën e larguar drejt Japonisë, është pikërisht ylli argjentinas, Lionel Messi, kapiteni më i ri i katalanëve, që kanë bërë një merkato interesante, me synimin për të mbrojtur titullin kampion, të cilin e fituan bindshëm në sezonin që lamë pas.
Më herët, në orën 17:00, në Supersport 6 do të transmetohet edhe sfida mes Guingamp dhe PSG-së, nga Ligue 1 në Francë, ndërsa kampionati holandez vjen me dy takime, VVV-Ajax në Supersport 7, në orën 18:30 dhe Fortuna Sittard-PSV, në orën 20:45 në Supersport 4.



