Shkurt/Barça insiston për De Jong, Leipizig kërkon të blejë Lookman
Barcelona vazhdon të insistiojë për mesfushorin e talentuar të Ajaxit, Frenkie De Jong. Gjigantët katalanë e ndjekin prej kohësh 21-vjeçarin, por holandezët nuk kërkojnë të heqin dorë në këtë sezon nga një prej lojtarëve më të talentuar të ekipit. Sipas mediave spanjolle, Barcelona pritet të bëjë një tjetër tentativë në ditet e fundit të merkatos për mesfushorin, duke i ofruar Ajaxit më tepër se 50 milionë euro për kartonin e tij.
Skuadra nga Bundesliga, Red Bull Leipzig, ka bërë një ofertë prej 22 milionë eurosh për sulmueisn e ri të Evertonit, Ademola Lookman. 20-vjeçari luajti në huazim sezonin e kaluar pikërisht te Leipzigu, ndërsa tashmë gjermanët kërkojnë që ta rikthejnë sërish atë në Bundesligë, duke blerë edhe kartonin e tij. Deri tani Evertoni ka refuzuar bisedimet me gjermanët për lojtarin e ri, por sipas mediave, me afrimin e Richarlison dhe Bernard këtë verë, mund të pranojë shitjen e Lookman.
Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Jese Rodriguez, është shumë pranë kalimit te skuadra e ngjitur këtë sezon në Primiera Division, Huesca. 25-vjeçari, i cili sezonin e kaluar luajti në huazim te Stoke City në Angli, pritet që të rikthehet në vendlindje, sërish në formë huazimi. Me fanellën e Stoke ai luajti në 13 takime, ndërkohë që arriti të shënonte vetëm një gol. Ish-sulmuesi i Real Madridit dhe Las Palmasit ka gjetur pak hapësira në Paris, ndërsa shpreson që me kalimin tek Huesca të luajë shumë më tepër.
Pavarësisht se merkatoja e futbollistëve në Premier League është mbyllur, shumë ekipe vijojnë të vëzhgojnë lojtarë të ndryshëm, mbi të gjitha ata që janë pa kontratë. Një nga ekipet më aktive gjatë merkatos së verës në Angli ka qenë pikërisht Evertoni. Skuadra e drejtuar nga Marco Silva ka hedhur sytë nga mesfushori portugez, Miguel Veloso, i cili është një lojtarë i lirë, pas përfundimit të kontratës me Genoan. Për Veloson interesohet edhe skuadra tjetër e Premier Leagues, Wolverhampton.



