Analiza/ Humbja ndaj Sassuolos, Spalletti gaboi gjithçka
Përtej pritshmërive të mëdha të krijuara gjatë verës, Interi rezultoi një zhgënjim në javën e parë të kampionatit, në Reggio Emilia, ku edhe u mposht nga Sassuolo me rezultatin minimal 1-0, me ndeshjen që u vendos nga një gol i Berardit me 11-metërsh në pjesën e parë.
Sassuolo është një “mace e zezë” për Interin dhe kjo natyrisht që konfirmohet mjaft mirë nga rezultatet në vitet e fundit, por ndryshe nga herët e tjera, zikaltrit këtë herë u mposhtën jo vetëm me rezultat, por edhe me lojë.
Kjo pasi porta e vendasve u godit shumë rrallë, aq sa goditja e vetme që imponoi portierin, ishte ajo e De Vrij pas një goditjeje standarde, ndërsa gjuajtjet e tjera të lojtarëve të Interit, ndonëse të pakta, përfunduan jashtë kuadratit.
Natyrisht që pas takimit ka pasur mendime të shumta mbi shkaqet e humbjes së Interit në premierën e kampionatit, por nëse sheh me vëmendje lojtarët që kishin zbritur në fushë, kupton se takimi ndaj Sassuolos është humbur nga trajneri Spalletti.
Numri 1 i pankinës gaboi në përzgjedhjen e formacionit, pasi hodhi nga minuta e parë lojtarë si Miranda e Vecino, që filluan stërvitjen vetëm në fund të korrikut, apo më keq akoma, Brozoviç, që iu bashkua skuadrës në përgatitjet verore vetëm më datë 6 Gusht.
Që të tre këta lojtarë, nga të cilët pritej të bëhej edhe organizimi i lojës, ishin dukshëm të ngadaltë dhe shumë larg formës së duhur fizike, për të përballuar një ndeshje kampionati. Jo vetëm kaq, por ndonëse duhet të ishin barrierë për sulmet e kundërshtarit, si dyshja e mesfushës, ashtu edhe Miranda, rikuperuan shumë pak topa dhe në të shumtën e rasteve i ndalën kundërshtarët me faull, ashtu si në momentin e penalltisë së Sassuolos.
Spalletti kishte zgjedhur gjithashtu që të aktivizonte Asamoah si sulmues të majtë, një futbollist që më të mirën e tij e jep si mbrojtës i këtij krahu dhe jo më kot shfaqej shumë rrallë duke sulmuar dhe duke marrë korsinë në atë zonë të fushës.
Kjo i dha liri Berardit, që nuk kishte më nevojë të kthehej mbrapa dhe nisej gjithmonë mbi vijën e mesit të fushës, ku me mbështetjen e Lirolës, vinte gjithmonë në vështirësi Dalbert dhe Mirandën, me zbritjet e tij të shpejta.
Pikërisht për këto arsye, Interi i pjesës së parë humbi mesin e fushës dhe i la rrugë të lirë inkursioneve të Berardit, ndaj jo më kot kërcënoi shumë pak portën kundërshtare dhe pësoi golin e vetëm të takimit.
Trajneri zikaltër tentoi të korrigjojë gjithçka në fillim të pjesës së dytë, pasi largoi Dalbert, tërhoqi mbrapa Asamoah dhe hodhi në fushë Perisiç, në rolin e tij natyral, sulmues i majtë. Por edhe këtë herë Spalletti nuk i kishte bërë llogaritë me faktin që Perisiç kishte vetëm 10 seanca stërvitore në këmbë dhe nuk kishte freskinë e duhur për të zbritur me shpejtësi në krah dhe për të shërbyer Icardin në qendër.
Më pas aktivizimi i Keita Baldes dhe veçanërisht i Karamoh, ishin shumë të vonuar, sepse ishte ndeshja e parë e kampionatit dhe shumica e lojtarëve nuk ishin në gjendje të shtynin përpara dhe të rrezikonin portën e Sassuolos.
Luciano Spalletti duhet të kishte treguar më shumë besim te lojtarë si Gagliardini, Ranochia, Borja Valero, Candreva apo Karamoh, pasi janë lojtarë që kanë zhvilluar të plotë fazën përgatitore dhe kanë një gjendje fizike më të mirë se të tjerët, që janë bashkuar rrugës.
Gjithsesi ndeshja me Sassuolon nxori në pah edhe një tjetër gabim të Spallettit, që mund t’i kushtojë ecurinë e sezonit zikaltërve. Kjo pasi trajneri këmbënguli te Nainggolan si futbollisti që do të bëjë fantazistin dhe “harroi” t’u kërkojë drejtuesve një alternativë për belgun, duke refuzuar edhe rikthimin e Rafinhës.
Mbrëmja e djeshme në Reggio Emilia nxorri në pah faktin që Lautaro Martinez është një sulmues dhe nuk mund të bëjë fantazistin, ndërsa zikaltrit nuk kanë një zëvendësues të Nainggolan. Në stol Spalletti kishte 4 sulmues krahu, por asnjë lojtar që të bënte lidhjen e reparteve të mesfushës me sulmin dhe të organizonte manovrën sulmuese të skuadrës, gjë që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar e bëri me mjaft sukses Rafinha.
Tani e vetmja gjë që i mbetet Spallettit është që të lutet në rikuperimin e shpejtë të Nainggolan dhe të kryqëzojë gishtat që belgu të jetë në maksimum të paktën deri në janar, pasi pa të në fushë, Interi rrezikon që paraqitje si ko ndaj Sassuolos, ti përsëritë vazhdimisht gjatë sezonit dhe jo vetëm në kampionat.



