Titullari Gjimshiti: Me Gasperinin bëj hapin cilësor tek Atalanta
Në futboll, për të ecur përpara, ndonjëherë nuk mjafton vetëm puna, duhet të kapësh momentin, të shfrytëzosh në maksimum mundësitë që të jepen. Shembulli më i freskët është ai i Berat Gjimshitit, futbollistit të Kombëtares Shqiptare që deri pak ditë më parë ishte thuajse i ikur nga Atalanta, ndërsa të hënën në mbrëmje debutoi si titullar me bergamaskët në fitoren 4-0 me Frosinonen. Luajti për 90 minuta titullar, duke fituar besimin e trajnerit Gasperini.
“Ishin mundësitë për të ikur, por me menaxherin tim dhe drejtuesit i vlerësuam gjërat me qetësi dhe vendosa të qëndroj tek Atalanta. Në dy vitet e huazimit jam rritur shumë, por ky vit mund të jetë vendimtar për mua. Me Gasperinin mund të bëj hapin e cilësor. Kam qëndruar në ekip sepse dua të tregoj vlerat e mira.”
Pas takimit, shtatlarti shqiptar i vë notën 10 skuadrës së tij.
“Ishte një paraqitje që meritonte notën 10. E nisëm shumë mirë kampionatin, nuk pësuam gol dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për ne. Nuk ka ndeshje të lehta. Frosinone ishte me shumë emra të rinj në skuadër, por me përvojë të madhe në Serinë A. Në rastin e parë që patën goditën shtyllën, më pas e morëm lojën në kontroll.
Nga suksesi me Frosinonen, të përballja e parë me Copenagenin në play off të Europa League-s, që do të zhvillohet të enjten. Gjimshiti e ka të qartë se kualifikimi do të varet nga rezultati i takimin të shtëpisë.
Ndeshja me Copenhagenin? Kjo fitore na jep shumë besim, krijuam shumë raste dhe mund ta mbyllnim më thellë se 4-0. Do të përballemi me një krejt tjetër dhe do të tentojmë të fitojmë në “Mapei Stadium”, sepse në Danimarkë do ta kemi shumë të vështirë. Po punojmë me shumë besim.”



