Largimi i Allës, Kukësi kthen në Superiore Gëzim Krasniqin
Kukësi nuk ka humbur kohë për të mbushur boshllëkun e krijuar nga largimi i Albi Allës, madje goditja e Nexhipit ka qenë praktikisht gati. Gëzim Krasniqi, njohje e vjetër e kampionatit shqiptar dhe me aftësi tashmë të konfirmuara për një kampionat që, për ata të cilët vijnë nga jashtë, rezulton gjithmonë më i vështirë nga sa mund të mendohet.
Probleme që me Krasniqin nuk ekzistojnë, dy vjet e gjysmë te Partizani deri në fund të vitit 2017, në 65 paraqitje me të kuqtë, duke shënuar edhe 4 gola, një të kaluar edhe te Flamurtari apo Besa e Kavajës. 28-vjeçari përbën profilin e duhur për të përforcuar një repart që mund të cilësohet pa frikë si një ndër më të fortët e Kategorisë Superiore, duke kujtuar se Kukësi ka tanimë dy qendërmbrojtësa të vlerësimit maksimal, Ardian Cuculin apo kapitenin Ylli Shameti, me Krasniqin që rrit konkurrencën, duke qenë ndërkohë si një alternativë mjaft e vlefshme për një sezon të gjatë dhe me një numër të madh ndeshjesh.
Në pjesën e dytë të sezonit të kaluar Gëzim Krasniqi u aktivizua me Rabotnickin në kampionatin maqedonas, ndërsa tani rikthehet sërish në Superiore, ku synon të fitojë titullin e munguar kampion me Kukësin, një ndër pretendentët që qëndrojnë në radhë të parë për të triumfuar në kampionat.



