Dortmundi do sulmuesin Alcacer nga Barça, Sevilla pëlqen Falque-n e Torinos
Borussia Dortmund ka shënjestruar sulmuesin e Barcelonës, Paco Alcacer. 24-vjeçari, i cili ka gjetur pak hapësira në “Cam Nou” pëlqehet shumë nga trajneri i verdhezinjve, Lucien Favre, i cili shikon te spanjolli njeriun ideal për përforcimin e sulmit. Gjermanët kërkojnë që ta afrojnë sulmuesin në formë huazimi me të drejtë blerjeje, ndërkohë që spanjollët ende nuk kanë kthyer përgjigje.
Sipas mediave italiane, Sevilla ka bërë një ofertë për sulmuesin e Torinos, Iago Falque. 28-vjeçari më parë ka luajtur edhe për Tottenham dhe Romën, para se të blihej nga klubi granata pikërisht nga verdhekuqtë. Fillimisht ai u bashkua me Torinon në formë huazimi, por falë paraqitetjeve te mira drejtuesit e klubit vendosën që ta blinin kartonin e tij verën e kaluar. Andaluzët e ndjekin prej kohësh 28-vjeçarin dhe besohet se ata kanë ofruar rreth 20 milionë euro për shërbimet e tij.
Paris Saint-Germain vazhdon të kërkojë një mbrojtës për krahun e majtë. Pasi tentuan Ricardo Rodriguezin nga Milani, Alex Sandron nga Juventusi apo Dany Rose nga Tottenhami, kampionët e Francës kanë hedhur sytë nga Bundesliga e më konkretisht nga skuadra e Borussia Dortmundit për portugezin Raphael Guerreiro. Francezët duket se janë të gatshëm që të plotësojnë kërkesat e skuadrës gjermane, duke ofruar plot 40 milionë euro për 24-vjeçarin. Raphael Guerreiro u bashkua me Dortmundin në vitin 2016 nga Lorient dhe nëse marrëveshja me PSG do të konkretizohej, për të do të ishte një rikthim në Francë.



