Shehi pa alternativa, Skënderbeu me të njëjtin formacion
Starti i edicionit ka qenë perfekt për Skënderbeun, pasi triumfi në Superkupën e Shqipërisë ndaj Laçit u shoqëruar me fitoren në sfidën hapëse të kampionatit ndaj Partizanit. U mendua që korçarët do të ishin kundërshtarë të kalueshëm këtë edicion, duke parë largimet e shumta që nuk dobësuan vetëm formacionin, por ndikuan edhe në alternativat e stolit.
Largimi i Bakary Nimagës dhe Emiliano Vilës dobëson akoma më shumë Skënderbeun, me trajnerin Orges Shehi që sheh të ketë në dispozicion një grup të cunguar dhe për momentin formacioni titullar deri diku është i kushtëzuar. Nëse tek ekipet e tjera të Superiores mund të përflitet për ndryshime në formacion krahasuar me javën e parë, te kampionët diçka e tillë nuk shihet si një mundësi.
Nga skuadra e javës së parë në stol si alternativa të vlefshme që kanë provuar të luajnë me fanellën e Skënderbeut janë Bruno Lulaj dhe Kaba Sombou. Oto John ende nuk po bind, ndërkohë që miqësorja e mesjavës e luajtur me Pogradecin i ka shërbyer stafit teknik për të vlerësuar lojtarët e ardhur në provë, ku vetëm sulmuesi nga Mali, Saliou Guidno duket se ka bindur për të qëndruar.
Drejtuesit e klubit janë duke punuar për të plotësuar kërkesat e trajnerit Shehi, pasi grupi i ri në dispozicion nuk është ende i plotësuar për të qenë kompetitiv në një kampionat të ashpër, ku dëmtimet dhe skualifikimet janë pjesë e tij.



