Ibra nuk mjafton për Galaxy, Martinez për rekord
Në kampionatin amerikan të futbollit protagonistë në orët e para të kësaj të shtune (ora europiane) ishin 2 futbollistë: Zlatan Ibrahimovic e Josef Martinez. I pari shënoi golin e 499-të në karrierë në derbin e zhvilluar mes Los Angeles Galaxy dhe Los Angeles Football Club. Madje, Ibra humbi 2 mundësi të shkëlqyera për të shënuar golin numër 500, por që iu mohua një herë nga shtylla e më pas nga portieri Miller. Ndeshja mes 2 skuadrave nga Los Angelesi u mbyll me rezultatin 1-1, ku golit të suedezit iu përgjigj meksikani Carlos Vela në pjesën e dytë me 11-metërsh.
Sa i përket Martinezit, ai arriti të shënojë golin e 28-të në këtë sezon, duke arritur një rekord që askush tjetër nuk e kishte shënuar më parë. Skuadra e tij, Atlanta, mundi me rezultatin 2-1 Orlandon, duke e konsoliduar vendin e parë në Konferencën e Lindjes.



