Shkurt/Arsenali nuk heq dorë nga Dembele i Celtic, Zielinski gati rinovimi me Napolin
Pavarësisht mbylljes së merkatos, zërat për afrimin e futbollistëve cilësorë në shtëpinë e Arsenalit nuk janë shuar. “Topçinjtë” vazhdojnë të ndjekin me interes sulmuesin e ri të Celtic, Moussa Dembele. 22-vjeçari prej kohësh monitorohet nga londinezët dhe me hapjen e merkatos së transferimeve në muajin janar ata do të përpiqen ta marrin francezin në “Emirates”. Për sulmuesin interesohen edhe disa ekipe të tjera, mes të cilave edhe Marseille e Rudi Garcias.
Trajneri i Chelsea, Maurizio Sarri deklaroi se Tammy Abraham dhe Ruben Loftus-Cheek nuk do të huazohen këtë sezon dhe se ai nuk u ka premtuar atyre asgjë në lidhje me mundësinë për të luajtur në formacion. Sulmuesi i ri gjatë ditëve të fundit ka qenë i lidhur me një kalim tek Aston Villa në Championship, por marrëveshja duket se ka dështuar. Edhe për mesfushorin Loftus-Cheek, i cili luajti me Anglinë në Botëror, ka patur shumë oferta, të cilat për momentin nuk janë pranuar. Qëndrimi i tij në “Stamford Bridge” u duk i pamundur fundjavën e kaluar, kur u la jashtë grumbullimit për takimin me Arsenalin, por duket se tekniku italian ka ndryshuar mendje dhe dëshiron që ta ketë lojtarin e ri në dispozicion.
Mesfushori Piotr Zielinski është pranë nënshkrimit të një kontrate të re me Napolin, e cila do të përfshinte një klauzolë lirimi me vlerë 100 milionë euro. Sipas mediave italiane, bisedimet mes palëve janë drejt mbylljes dhe shumë shpejt pritet të firmoset edhe kontrata e re, e cila do ta lidhë polakun me skuadrën e kaltër deri në vitin 2023, duke përfituar edhe një rritje të pagës. Aktualisht Zielinski ka një kontratë deri në vitin 2021 dhe një klauzolë largimi 65 milionë euro, por interesimi nga disa ekipe të Premier League-s i kanë detyruar drejtuesit të rinovojnë me mesfushorin, duke rritur edhe vlerën e klauzolës së tij.
Mediat franceze bëjnë me dije se drejtuesit e Lyonit kanë refuzuar dy oferta nga Sevilla për sulmuesin Mariano Diaz. Futbollisti, i cili më parë ka luajtur me të rinjtë e Real Madridit, pëlqehet shumë nga andaluzët, por për momentin ai konsiderohet i pashitshëm nga francezët. Diaz ka qenë i lidhur edhe me një rikthim të mundshëm në “Santiago Bernabeu”, por për momentin nuk ka pasur asnjë ofertë të madrilenëve. Por Diaz nuk është i vetmi lojtar që Sevilla pëlqen te Lyoni, pasi andaluzët interesohen edhe për Maxwel Cornet, i cili me shumë gjasa do të largohet.



