Lajme

Prishtina udhëton në Mitrovicë, Drita kërkon suksesin e radhës

Superliga e Kosovës do të vijojë sot me ndeshjet e javës së dytë, teksa në fushë do të zbresin si Prishtina, ashtu edhe Drita, dy skuadrat që dueluan deri në fund për titullin kampion në sezonin që sapo u mbyll.

Kryeqytetasit e drejtuar nga Mirel Josa do të udhëtojnë në Mitrovicë, për t’u përballur me Trepçën ’89, të drejtuar nga Magani, në atë që do të jetë ndeshja e parë për Prishtinën, pasi takimi i javës së parë ndaj Gjilanit u shty në mënyrë të befasishme.

Në stadiumin “Adem Jashari” pritet një sfidë spektakolare, pasi Prishtina do të kërkojë ta nisë me fitore, por përballë do të jetë një skuadër si Trepça, që ka pretendimet e veta këtë sezon dhe nuk do të lëshojë aspak në fushën e lojës.

Sfida mes Trepçës ’89 dhe Prishtinës do të startojë në orën 16:45 dhe do të transmetohet në SuperSport 4, ndërsa në të njëjtën orë, por në Supersport 5 do të transmetohet edhe ndeshja Drita-Flamurtari.

Kampionët në fuqi e nisën kampionatin me një fitore të thellë 5-0, ndonëse përballë kishin KEK-un e sapongjitur në IPKO Superliga, ndërsa sot përballë kuqezinjve të kryeqytetit, Flamurtarit, do të kërkojnë t’u tregojnë të gjithëve se janë ata skuadra për t’u mundur në Kosovë.

Edhe këtë herë Drita do të mund të mbështetet te tifozëria e saj e zjarrtë, e udhëhequr nga grupimi “Intelektualët”, që nuk ngurron të përkrahë skuadrën në çdo stadium dhe më tepër në shtëpi, në Gjilan.

Jo shumë larg Gjilanit, në Ferizaj do të luajë skuadra vendase, që do të presë Lirinë e Prizrenit. Të dy skuadrat e kanë nisur kampionatin me humbje minimale 1-0 dhe do të kërkojnë pikët e para në përballjen e sotme.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency