Mbrojtësi spanjoll “hedh dritë” mbi të ardhmen e Paul Pogbasë
Ndërkohë që marrëdhëniet e Paul Pogbasë dhe Jose Mourinhos janë më të tensionuara se kurrë, Gerard Pique ka folur për të ardhmen e mesfushorit francez, duke i “hedhur benzinë zjarrit”, që tashmë është i ndezur në Manchester.
Qendërmbrojtësi i Barcelonës foli me superlativa për kampionin e botës dhe theksoi se do të ishte shumë i lumtur nëse Pogba do të transferohej në Katalunjë, dhe të vihej në dispozicion të Valverdes.
“Nuk e di si janë gjërat në Manchester, por tani për tani Paul nuk është lojtar i Barcelonës. Do të ishim shumë të lumtur të na bashkohej një mesfushor i fortë si ai, por të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim”, deklaroi Pique.
Paul Pogba ka marrë edhe shiritin e kapitenit te Manchester United, por kjo nuk ka mjaftuar që të vendoset paqja mes tij dhe Jose Mourinhos, marrëdhënia e të cilëve u prish që gjatë sezonit të kaluar dhe vijon të jetë e tensionuar.



