Son i shpëton shërbimit ushtarak, Koreja e Jugut triumfon në Lojërat Aziatike
Koreja e Jugut U-23 ka triumfuar në futboll, në Lojërat Aziatike, pasi mposhti në finale Japoninë me rezultatin 2-1.
Koha e rregullt përfundoi në barazim pa gola, ndërsa në 30 minutat shtesë koreano-jugorët shënuan dy herë dhe goli i Japonisë pak më vonë vlejti vetëm për statistikë.
Natyrisht që më i lumtur se kushdo nga ky triumf, është ylli i Tottenhamit, Hueng Min-Son, i cili pas këtij triumfi do të rikthehet të luajë në Londër.
Në rast se Koreja e Jugut nuk do t’ia dilte, sulmuesi i “Spurs-ave” do të detyrohej të bënte shërbimin e detyruar ushtarak në atdheun e tij, për 24 muaj.
Gjithsesi ligji koreano-jugor përjashton nga shërbimi ushtarak sportistët që sjellin medalje dhe tashëm Hueng Min-Son është një nga ata që ka marrë medalje.



