Tifozët e Interit entuziastë për Championsin
Pas 6 vitesh mungesë, Inter do të rikthehet më në fund në UEFA Champions League. Për tifozët zikaltër, ky është një realitet si në ëndrrat më të bukura, e për këtë arsye, ata kanë ndërmend ta festojnë. Ekipi milanez do ta fillojë aventurën në kompeticionin më madhor evropian kundër Tottenham, më 18 shtator, e që tani janë shitur 60 mijë bileta. Sigurisht, numri pritet të jetë më i madh, ku synohet të arrihet shpejt numri i 70 mijë biletave të shitura, ose në rastin më të mirë, San Siro të jetë i mbushur me ngjyrat zikaltër.
Duke parë interesin e madh që në ndeshjen e parë, pritet që të ketë interesim të madh edhe për ndeshjet kundër Barcelonës, që do të jetë më 6 nëntor, por dhe atë kundër PSV Eindhoven më 11 dhjetor.
E pavarsisht se skuadra e Spalletit nuk e ka nisur më të mirë kampionatin në këtë sezon të ri, duke marrë vetëm 4 pikë në 3 ndeshjet e para, tifozët nuk kanë ndërmend ta lënë ekipin në baltë, e sidomos në kompeticionin ku kërkuan rikthimin me ngulm pas disa vitesh.



