Te Vllaznia firmat vijnë njëra pas tjetrës
Te Vllaznia ka vijuar procesi i firmosjes së kontratave të reja apo dhe rinovimit të kontratave me futbollistët aktualë edhe gjatë kësaj të enjteje. Gjatë paradites në zyrat e klubit kanë hedhur firmat njëri pas tjetrit portieri Alen Sherri dhe mesfushorët Ardit Krymi e Alsid Tafili. Pak më vonë ishte radha e Ergi Borshit, Zabit Mehmedajt e Sahmet Lushajt.
Ky proces do të vijojë edhe në orët në vazhdim, me firmosjen e kontratave nga pjesa e mbetur e futbollistëve që janë përzgjedhur nga stafi teknik për të qenë pjesë e ekipit në sezonin e ri. Vllaznia do të luajë ditën e shtunë ndeshjen e parë të kampionatit dhe për trajnerin Lika tashmë nuk ka më dilema për formacionin. Të gjithë titullarët që ka patur në stërvitje kanë firmosur ose janë në proces të firmosjes së kontratave dhe gjithçka do të jetë gati për këtë sfidë.



