Miqësorja me Italinë, ikin Durmishaj dhe Sahiti, Bushi grumbullon Ndreun
Kombëtarja U-21 e drejtuar nga Alban Bushi vazhdon përgatitjet për ndeshjen miqësore Itali-Shqipëri, e cila do të zhvillohet këtë të martë, datë 11 shtator, ora 18:30, në Cagliari. Bushi, në vigjilje të kësaj miqësoreje, e cila do t’i shërbejë në formimin e grupit për sezonin tjetër eliminator, nuk do të ketë në dispozicion futbollistin Fiorin Durmishaj.
Sulmuesi kuqezi, i cili aktivizohet në radhët e Panionisit në Greqi, ka lënë grumbullimin, për shkak të një dëmtimi, dhe në vend të tij është thirrur një sulmues tjetër, Ronaldo Ndreu, që aktivizohet në radhët e VFB Trebbin në Gjermani. Bushi, pas ndeshjes me Spanjën, ka lënë të lirë futbollistin Emir Sahiti, për t’iu bashkëngjitur skuadrës së tij në Kroaci Hajduk Split II dhe për t’u dhënë mundësi lojtarëve të tjerë të testohen gjatë miqësores me Italinë. Ndonëse ishte pjesë e të dyja listave, Sahiti është lënë i lirë për arsye teknike.



