Kategoria Superiore

Gega: Në Laç për fitore, Çani? Pas 10 vitesh njerëzit bëjnë romane

“Këto dy javë na kanë shërbyer për t’u rikuperuar disa lojtarë, por edhe për të pasur ide më të qarta. Kemi patur prurje dhe kjo periudhë na ka shërbyer. Por siç na ka shërbyer, u ka shërbyer edhe të tjerëve. Laçi meriton fjalë të mira, pasi është një ekip i fortë, sidomos në fushën e vet. Është një ndeshje e vështirë, ne jemi përgatitur gjatë gjithë kohës. Kemi qëllim të qartë, shkojmë për fitore. Fusha tregon çdo gjë.” Kështu e nisi konferencën për shtyp për ndeshjen me Laçin trajneri i Partizanit, Skënder Gega, i cili iu përgjigj të gjitha pyetjeve të gazetarëvve për tema të ndryshme që shqetësojnë klubin e kuq.

Afrimet e reja: Çinari shënoi në Pukë, është mirë kur një sulmues shënon. Normal, na kënaq ky fakt. Çdo gjë do kohën e vet, po stërvitet mirë ai dhe gjithë të tjerët. Kjo më kënaq mua si trajner. Përzgjedhja jonë është pak e vështirë, kemi disa lojtarë në një pozicion. Të gjithë duhet të presin kohën dhe momentin e duhur. E rëndësishme është që të jenë të gjithë në 100% të formës së tyre.

Ndryshimet në formacion: Nuk do ketë shumë ndryshime. Në Pukë u dhamë hapësira disa lojtarëve, disa bënë mirë, disa jo. Hebaj nuk ka luajtur, pasi ishte i impenjuar me ekipin përfaqësues U-21. Megjithatë, jam shumë i kënaqur që është rikthyer, duket i uritur dhe gati të japë maksimumin. Është vetëm 20 vjeç, e kam thënë disa herë, nuk e ngarkojmë dot si duhet. Ekipi duhet ta mbështesë më shumë. Gjërat do të rregullohen. Mundohem të bëj lojë në grup, të kemi ekuilibër. Shpresoj që në Laç të bëjë të mirë.

Barazimi, i pranueshëm: Humbja është negative, çdo rezultat tjetër jep pikë. Do të isha i kënaqur të fitoja, do ta pranoja edhe barazimin. Humbja nuk është e mirë për askënd. Është vetëm java e katërt, nuk vendoset tani. Duam të mos shkëputemi nga vendet e para.

Komenti për Çanin:  Unë nuk kam çfarë komenti të jap, është diçka që i përket të kaluarës. Shumë njerëz mund të largohen dhe të bëjnë romane pas 10 vitesh. Kam bërë atë që kam menduar më të drejtë për klubin. Kur je lider, duhet të marrësh vendime. Në çdo konferencë pyetet për Çanin, ai sot është në Itali dhe i uroj suksese. Për pjesën tjetër i takon klubit të përgjigjet, unë teknikisht kam bërë atë që kam menduar se ishte më e drejtë.

Merkato: Klubi është munduar deri në fund, jam i fokusuar te ky grup. Kam afruar disa elementë nga ekipi i dytë dhe nga moshat. Nëse vjen dikush, është i mirëseardhur. Shpresoj të na ndihmojë.

Rivalët: Kemi pësuar një humbje në minute e 92-të në Korçë, i kam parë ndeshjet në transfertë. Asnjë ekip nuk ka bërë spektakël. Kjo më bën optimist se jemi shumë afër. Mendoj se, duke u konsoliduar, do dalim aty ku duam.

Afrimet e fundit: Disa ende nuk janë gati, nuk e kemi ditur gjendjen e tyre. Gradualisht po rriten. Çinari, për shembull, ka vetëm dy javë me ekipin. Kemi edhe Lukasin, është në fazë rikuperimi. Nuk presim tani kontributin e tij, po përgatitet. Sot nuk është pjesë e planeve, duam të jetë gati sa më shpejt.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency