Botërori i volejbollit, sot sytë nga Italia e Serbia
Italia zbret në parket në orën 21:15 në Firence, në Pallatin e Sportit “Nelson Mandela Forum” përballë Republikës Domenikane, me synimin e qartë për të vijuar rrugën e fitoreve, dicka lehtësisht e kuptueshme gjithsesi, duke patur parasysh që vendi nga Karaibet përfaqëson një ndër skuadrat më të dobëta, në edicionin e 19, të kampionatit Botëror të volejbollit për meshkuj, që është duke u zhvilluar pikërisht në Itali dhe Bullgari. Ekipi i Gianlorenzo Blenginit mundi pa humbur asnjë set kundërshtarë si Japonia dhe Belgjika, sidoqoftë objektivi është i qartë dhe “të kaltërit” janë të dënuar për të siguruar maksimumin, pra 3 pikët e radhës, për të ruajtur kryesimin në Grupin A.
46-vjecari piemontez ka një mundësi të shkëlqyer për t’i dhënë frymëmarrje lojtarëve kryesorë, duke u mbështetur kështu te zgjedhjet e dyta. Ruajtja e freskisë fizike në një kompeticion të tillë mbetet një element thelbësor, për të prekur suksesin, sepse dihet kampionati botëror mbyllet më datë 30 shtator, për më tepër ky është rasti për të përfituar, pasi Republika Domenikane jo vetëm që i ka humbur që të tri takimet e luajtur në këtë grup, por bie në sy edhe fakti që përfaqësuesja nga Karaibet ka fituar vetëm një set gjithsej nga përballjet me Slloveninë, Japoninë dhe Argjentinën.
Miqtë renditen në pozicionin e 38 në klasifikimin e përgjithshëm botëror dhe kanë fituar vetëm 2 nga 14 ndeshjet e fundit, madje edhe këto suksese janë siguruar ndaj Guatemalës dhe Kolumbisë, ndërkaq në Grupin A luhet gjithashtu edhe takimi tjetër Japoni – Belgjikë. Po në Supersport të apasionuarit e volejbollit kanë rastin për të ndjekur edhe ndeshjen e Grupit C Serbi – Australi. Skuadra e drejtuar nga Nikola Grbic paraqitet në këtë takim pas sukseseve 3-0 me Kamerunin dhe 3-1 me Tunizinë, gjithsesi Serbia aktualisht është në kuotën e 7 pikëve, falë pikës së marrë në humbjen me pesë sete nga Shtetet e Bashkuara. Në krahun tjetër Australia që klasifikohet në vendin e 16 në renditjen botërore krenohet vetëm me fitoren 3-1 ndaj përfaqësueses afrikane dhe pikën e marrë në humbjen dinjitoze 3-2 me ekipin amerikan, pasi me skuadrën ruse “kangurët” u thyen keqas 3-0. Australia zbret në parket e shplodhur pas ditës së pushimit, sidoqoftë Serbia ka fituar 6 nga 7 përballjet e fundit ndërmjet tyre, ndërkaq po në Grupin C luhet gjithashtu edhe ndeshja tjetër Shtetet e Bashkuara – Kamerun.



