Java e 5-të vazhdon me duele interesante, vëmendja te Llapi-Flamurtari
Java e 5-të e IPKO Superligës së Kosovës vijon këtë të dielë me tre sfida shumë interesante. Dy prej tyre do të transmetohen live në Supersport. Pas suksesit të parë në këtë sezon që erdhi me shifrat 5-1 ndaj KEK-ut në transfertë Trepça ’89 e Gugash Maganit do të presë në Mitrovicë Drenicën, në një sfidë ku vendasit do të luajnë vetëm për fitore, ndërsa miqtë do të ishin të kënaqur edhe me një barazim. Në orën 15:45 një tjetër sfidë e bukur për t’u parë është edhe ajo që do të luhet në Podujevë mes Llapit dhe Flamurtarit. Llapi është një nga skuadrat favorite në garën për titull gjatë këtij sezoni, ndërkohë që Flamurtari është surpriza e vërtetë e 4 javëve të para teksa kryeson e vetme me pikë të plota. Me një fitore sot Llapi do të ulte me këmbë në tokë skuadrën nga periferia e Prishtinës dhe do të barazonte në kuotën e 12 pikëve pikërisht Flamurtarin. Sfida tjetër e kësaj jave luhet në Prizren me Lirinë që pret KEK-un.



