Firmino nderon Liverpoolin, buzëqeshin Atl.Madrid dhe Dortmundi
Ashtu siç ndodhi në Inter-Tottenham edhe në superfidën tjetër të mbrëmjes së Champions League mes Liverpoolit dhe PSG ishte minuta e 92-të që vendosi fatet e takimit. Goli i Firminos në fund i dha fitoren skuadrës së Klopp që mori kreun e grupit C që në start. U duk sikur Liverpooli do të merrte një fitore të thjeshtë pas finalizimeve të Sturridge dhe Milner në harkun e pak minutave por pak para fundit të pjesës së parë Meunier ngushtoi shifrat. Në të 83-ën Mbappe me golin e tij u duk sikur i dha një pikë ekipit të Tuchel por në fund festoi Liverpooli që realizoi golin e fitores me Firminon. Nisje e dobët ajo e Napolit që nuk përfitoi nga përballja mes dy skuadrave më të forta të grupit C duke barazuar 0-0 në Beograd përballë modestëve të Crvena Zvezdës. Në grupin A buzëqeshën dy skuadrat pretendente. Një gol i Pulisic, 5 minuta përpara fundit i dha fitoren Dortmundit në transfertën belge ndaj Club Brugge ndërkohë që Atletico e Madridit triumfoi 2-1 me përmbysje brenda në Principatë përballë Monacos me golat e Diego Costës dhe Gimenez. Në grupin D, përfundoi në barazim 1-1 sfida mes Schalke 04 dhe Portos ndërsa në Stamboll, Galatasaray kaloi lehtësisht Lokomotivën e Moskës me shifrat 3-0.



