Te Skënderbeu shënojnë të gjithë, skuadra e Shehit bind edhe në prapavijë
Sezon i ri, Skënderbe i vjetër. Shifrat e këtij fillim kampionati konfirmojnë supremacinë e skuadrës korçare, që edhe pse i është nënshtruar verën e shkuar një ristrukturimi të thellë, vazhdon të mbetet dominuese në gjuhën e ftohtë të statistikave.
Skënderbeu ka sulmin më të mirë të kampionatit, 8 gola të shënuar, në 5 javë, dy më tepër se ndjekësit e Kukësit, por ndryshe nga verilindorët, ku peshën absolute e mban Rexhinaldo me 4 finalizime, gjeografia e golit në kampin korçar është më e shpërndarë, pasi mbi të gjitha shënojnë të dy sulmuesit e destinuar për të luajtur në majë të skuadrës.
Blerim Krasniqi mposhti me golin e tij Flamurtarin, ndërsa Oto John është në kuotën e dy finalizimeve, po aq sa Dejvi Bregu, një tjetër rrezik konstant për rivalët në vijën e parë të Skënderbeut, apo Muzaka një tjetër lojtar që Superioren e njeh në perfeksion, ndërkohë që ka shijuar golin e parë dhe Demte.
Plot 5 lojtarë të aftë për të gjetur rrjetën në 5 javët e para është një shifër domethënëse. Edhe për sa i përket mbrojtjes, Skënderbeu është një ndër skuadrat më të vështira për t’i shënuar, me vetëm dy gola të pësuar, ndërsa më mirë se skuadra e Shehit në këtë aspekt, deri më tani ka bërë vetëm Partizani që në 5 javë ka nxjerrë topin vetëm një herë nga rrjeta.
Aftësi për të rikuperuar është ndërkohë një tjetër e dhënë që flet për personalitetin e një skuadre që di të reagojë edhe kur gjendet në disavantazh, si në takimet me Laçin apo atë të fundit me Tiranën kur Skënderbeu riktheu ekuilibrin vetëm në minutat e fundit, jo më kot Skënderbeu bashkë me Laçin është një ndër dy skuadrat e vetme që ende nuk kanë pësuar një humbje në këtë kampionat, por ndërkohë kurbinasit kanë mëkatuar ndoshta më shumë se sa pritej në barazime.
Është vetëm fillimi i kampionatit, por shifrat e 5 javëve të para, konfirmojnë sërish një Skënderbeu para rivalëve të detyruar deri më tani të mbeten në ndjekje të kampionëve në fuqi.



