Mezani: s’ka justifikime, fitorja me Kamzën detyrim
Luftëtari pret Kamzën në Gjirokastër me ide të qarta. E lë të kuptohet Gentian Mezani në konferencën për shtyp për këtë përballje. Pavarësisht shkallës së vështirësisë, objektivi është një i vetëm: fitorja.
“Është një ndeshje ku fitorja është detyrim, sepse Kamza është rival direkt dhe fitorja na qetëson disi. Do të bëjmë më të mirën, me synim të vetëm pikët e plota.”
Kur flitet për shkallë të lartë vështirësie, në Gjirokastër u referohen mungesave të shumta për arsye dëmtimi dhe pezullimi.
Sigurisht, kemi mungesa të rëndësishme, duke përfshirë Ramadanin, i cili është i pezulluar, por jam i sigurt që lojtarët që do të luajnë do të japin gjithçka, ndoshta edhe më shumë se titullarë si Ramadani e Aleksi, për të treguar se e meritojnë fanellën dhe pse jo ta ruajnë vendin në formacion.
Pas humbjes me Kukësin, Mezani pati kritika për gjykimin, por këtë radhë bën një lëvizje taktike, duke u shprehur se nuk u druhet vendimeve të gjyqtarëve
Ndaj Kukësit u ankova pas ndeshjes jo për gjykim të keq, por për të kërkuar ndoshta një arbitër me pak më shumë eksperiencë, që të mbante pak më shumë presionin, por nuk i druhem aspak gjykimit. Nuk kam për të folur asnjëherë për gjykimin, sepse nuk është në karakterin dhe stilin tim të punës. Mendoj se ne duhet të bëjmë gjithnjë më shumë se kundërshtari, një gol më shumë se kundërshtari, për ta fituar atë ndeshje, pa gjetur justifikime.



