“Dybala show” udhëheq Juven drejt rekordeve, Manchester City merr fitoren e parë
Nëse të shtunën në mbrëmje Juventusi barazoi rekordin e arritur 88 vite më parë, duke regjistruar 8 fitore në 8 ndeshjet e para zyrtare të sezonit, sonte skuadra bardhezi arriti të shkruajë një tjetër rekord, duke e çuar në 9 numrin e fitoreve, si asnjëherë më parë.
Bardhezinjtë mposhtën zviceranët e Young Boys-it në ndeshjen e vlefshme për grupet e Champions Leagues, me rezultatin e thellë 3-0, teksa protagonist i jashtëzakonshëm ishte Paulo Dybala.
Në mungesë të Cristiano Ronaldos së pezulluar, ylli argjentinas shënoi tre herë në portën e zviceranëve, duke i dhënë 3 pikët Juventusit dhe duke merituar të marrë për herë të parë në shtëpi, topin e një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve.
Kjo fitore e ngjit Juventusin në krye të grupit H me 6 pikë maksimale në dy ndeshjet e para, ndërsa në mbrëmje Manchester United do të përballet me Valencian po për të njëjtin grup.
Një fitore mjaft të vështirë arriti edhe Manchester City, në transfertën gjermane ndaj Hoffenhaimit, ku triumfoi me rezultatin 1-2. Pasi e nisi aventurën në Champions me humbje ndaj Lyonit, skuadra e Guardiolës e pa veten në disavantazh që në minutën e parë në transfertën gjermane, pas golit të Belfodil.
Gjithsesi ishte sulmuesi argjentinas Sergio Aguero, ai që riktheu baraspeshën në minutën e 8 të sfidës, ndërsa në të 87-ën, ishte spanjolli David Silva që shënoi golin me vlerë 3-pikëshe.



