Dzeko i përgjigjet Dybalës, Reali nuk thyen dot tersin “Luzhniki”
Edin Dzeko i është kundërpërgjigjur menjëherë Paulo Dybalës së Juventusit, duke shënuar gjithashtu një tregolësh në sfidën që Roma luajti në Ligën e Kampionëve, përballë çekëve të Victoria Plzenit.
Verdhekuqtë fituan me rezultatin e thellë 5-0, ndërsa festivali i golave nisi nga sulmuesi boshnjak dhe u kompletua nga golat e shënuar nga turku Under dhe talenti holandez Justin Cluivert, i cili erdhi vetëm këtë verë te Roma.
Befasia e mbrëmjes erdhi nga Moska, ku Reali i Madridit nuk arriti të thyejë mallkimin “Luzhniki”, teksa u mposht me rezultatin minimal 1-0 nga ana e CSKA-së.
Vlasiç shënoi që në minutën e dytë për skuadrën moskovite, ndërsa madrilenët nuk arritën të reagojnë, pavarësisht ndryshimeve të kryera nga trajneri Lopetegui dhe dolën kokë-ulur nga kjo transfertë.
Në krizë rezultatesh ka rënë edhe Bayerni i Mynihut, i cili pas dy ndeshjesh radhazi pa fituar në kampionat, u ndal në barazim edhe sonte në “Allianz Arena”, përballë holandezëve të Ajaxit.
Lyoni u nda në barazim 2-2 me ukrainasit e Shakhtar Donetskut, ndërsa Benfica arriti të marrë një fitore të vyer në Athinë, me rezultatin 2-3 përballë AEK-ut dhe Manchester United nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola përballë Valencias në “Old Trafford”.



