Daja: Gabuam në goditjet standarde, s’jemi të përqendruar
Ilir Daja shpjegoi pas humbjes me Laçin në “Zona Gol” arsyet e këtij rezultati aspak pozitiv. Ai i shmangu komentet për rastet e diskutueshme, por tha se terreni nuk ishte i përshtatshëm.
Mungesë finalizimi: Vazhdojmë të vuajmë në sulm. Kemi shumë spostime të roleve. Filluam me Allën, kur ai u përgatit mirë, kishim lojtar të dëmtuar. Edhe fusha ndikoi sepse nuk e kam parë ndonjëherë fushën e Laçit në këtë gjendje. Duhet të jemi më agresiv, qoftë kur dalim në linjë anësore, ashtu edhe në qarkullimin e topit. Kundërshtari nuk po na bënte ndonjë gjë. Ishte lojë e luftuar në mesin e fushës.
Episodet: Prekja e topit me dorë nga Jonuzi? Ndaj Partizanit thashë që ka shumë pak lojë efektive. Ka qenë një ambient i qetë në Laç. Nuk do të merrem me vendimet e gjyqtarëve. Gabuam në goditjen standarde, me dy lojtarët e gjatë që ishin të vendosur për të mbyllur atë hapsirë. Ky është futbolli, do përpiqemi t’i rregullojmë në vazhdim. Mungesa e përqendrimit është më evidente. Çfarëdo vendosje të bësh në zonë nëse nuk ka përqendrim, nuk mund të shpëtosh nga goli. I praktikojmë gati javë për javë, por ky është futbolli dhe ndëshkohesh aty ku merr më shumë masa.
Delia dhe Pollozhani: Duke iu referuar ndeshjes së sotme dhe Delia dhe Pollozhani po sakrifikojnë, sepse janë qendërmbrojtës. Pollozhani e ka bërë mirë detyrën e tij. Ndoshta do të na shërbente më mirë para mbrojtjes. Bushic gradualisht do të ndryshojë lojën. Me manovrën tonë do të kërkojmë më shumë të shtyjmë më para qoftë me Bushic dhe me Alves.



