Mourinho i shpëton shkarkimit dhe planifikon merkaton
Fitorja me një përmbysje spektakolare e Manchester Unitedit, ndaj Newcastles në “Old Trafford” duket se ka rikthyer qetësinë në kampin e “djajve të kuq” dhe ka larguar momentalisht rrezikun për shkarkimin e Jose Mourinhos.
Sipas mediave angleze, tekniku portugez i është rikthyer normalitetit, i kënaqur me reagimin e futbollistëve të tij në 45-minutëshin e dytë, ku përmbysën disavantazhin prej dy golash dhe tashmë po planifikon merkaton e ardhshme.
Kështu qendra e mbrojtjes te Manchesteri është një pikë e dobët dhe portugezi ka gati dy emra për t’i çuar në zyrën e shefit të klubit, të cilit do t’i kërkojë që të sjellë të paktën njërin prej tyre në muajin janar, në “Old Trafford”.
Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin sllovak të Interit, Milan Skriniar dhe italianin e Milanit, Alessandro Romagnoli, të cilët janë konfirmuar liderë në skuadrat respektive dhe mbi të gjitha janë një investim jo vetëm për të tashme, por edhe për të ardhmen, pasi kanë një moshë relativisht të re.
Për sllovakun, Interi ka pretendime të larta dhe vështirë se do të hiqte dorë për një ofertë më të ulët se 80 milionë euro, ndërsa Leonardo do të kënaqej me 50 milionë euro, për të lënë të lirë kapitenin aktual të kuqezinjve, pasi ka nevojë të rregullojë bilancet.
Me rregullat e reja të UEFA-s, që të dy futbollistët Manchesteri mund t’i përdorë edhe në Champions pas Janarit, nëse ia del të kualifikohet, pavarësisht se kanë luajtur në Europë me skuadrat e tyre respektive.



