Lajme

Serbia dhe Kina pranë kualifikimit në “Final Four”

Edicioni i 18 i kampionatit Botëror të volejbollit për femra ka hyrë në fazën e tretë dhe takimet sic dihet vijojnë edhe në këtë raund me format të njëjtë me ndeshje në grupe. Në Japoni tashmë janë krijuar dy grupe me nga tre skuadra dhe ndeshjet në “Final Six” do të luhen në Qytetin e Nagoya-s, në Nippon Gaishi Hall, një arenë madhështore me kapacitet prej 10.000 spektatorësh. Në Grupin H ditën e pushimit e kishte përfaqësuesja e Holandës, kështuqë në parket zbritën fillimisht Kina me Shtetet e Bashkuara. Katër vjet më parë në botërorin e zhvilluar në Itali Shtetet e Bashkuara e mposhtën Kinën në finale, në vetëm katër sete, ndërsa këtë herë ishte përfaqësuesja aziatike që përmbysi disavantazhin 2-1 me sete, për të fituar gjithë takimin me rezultatin 3-2. Në fakt dy përfaqësueset u përballën për herë të dytë në botërorin nipon, pasi më herët në Grupin F në fazën e dytë Kina fitoi pastër 3-0 takimin ndërmjet tyre. Kampionet Olimpike të Rio de Janeiro-s fituan setin hapës 25-22, megjithatë skuadra amerikane u kundërpërgjigj duke marrë dy setet e tjerë, 25-19 dhe 25-20. Seti i katërt ishte tepër i rivalizuar, por gjithsesi Kina ia doli mbanë për të fituar 25-23, duke shtyrë gjithcka për në tie break.

Në setin përcaktues Kina që është forca e parë në glob në volejbollin e femrave luajti vërtet shumë mirë dhe për rrjedhojë fitoi me shifrat 15-9, duke marrë menjëherë kryesimin e Grupit H me 2 pikë, ndërsa Shtetet e Bashkuara që e mbyllën takimin me pikaverazh të njëjtë 104-104 pozicionohen për momentin në vendin e dytë, me vetëm një pikë, por natyrisht lojtaret amerikane duhet patjetër të mundin ditën e hënë volejbollistet holandeze, që janë nënkampionet në fuqi të Evropës, për të siguruar kualifikimin për në gjysmëfinale. Në Grupin G ditën e pushimit e kishte Italia, që vazhdon të mbetet edhe skuadra e vetme përfaqësuese që nuk njeh humbje në botërorin japonez. Në parket volejbollistet serbe, që janë edhe kampionet në fuqi të Evropës u vunë përballë lojtareve të vendit organizator. Të mërkurën e kaluar në një ndeshje të vlefshme për Grupin E Japonia përmbysi disavantazhin e setit hapës, për të fituar gjithë takimin me rezultatin 3-1, ndërsa këtë radhë ekipi nipon u shkatërrua në vetëm tre sete nga skuadra e trajnerit Zoran Terzic. Serbia dominoi për pjesën më të madhe të kohës, duke fituar respektivisht setet me 19, 18 dhe 23 pikë. Në krahun tjetër pas kësaj disfate të rëndë, Japonia duhet patjetër të mundë ditën e hënë Italinë, për të shpresuar në një kualifikim të mundshëm për në “Final Four”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency