Basketboll

LeBron James nuk mjafton për Lakers ndaj Blazers, Embiid udhëheq 76ers

Debutim me humbje i LeBron James me fanellën e Los Angeles Lakers në sezonin e ri të NBA. Skuadra e dytë më e titulluar në elitën e basketbollit amerikan pësoi disfatë që në start 128-119 në “Moda Center” të Portlandit ndaj vendësve të Trail Blazers. 26 pikë, 6 asiste dhe 12 rikuperime ishin shifrat e ish-basketbollistit të Cleveland Cavaliers, statistika të pamjaftueshme për shmangur humbjen. Madje “Mbreti” James nuk rezultoi as më i miri i ndeshjes, çmim që i takoi Damian Lillard të Portlandit me 28 pikë, 4 asiste dhe 6 rikuperime. LeBron e konsideroi këtë përballje si hapin e parë të një udhëtimi të gjatë, por ndoshta as ai nuk e priste kaq të vështirë. Lakers treguan limitet e tyre në fazën mbrojtëse, por edhe personalitet, pavarësisht disfatës. Ndoshta është herët për të ëndërruar, edhe pse në përbërje kanë një nga basketbollistët më të mirë të historisë së NBA.

Pas humbjes në takimin e parë në parketin e Boston Celtics, Philadephia 76ers fituan me prepotencë 127-118 ndaj Chicago Bulls. Ben Simmons regjistroi “triple double” e parë sezonal, duke e mbyllur ndeshjen me 13 pikë, 11 asiste dhe 13 topa të kontrolluar poshtë koshit. Sigurisht skenën e rrëmbeu Joel Embiid që spikati me 30 pikë e 12 rikuperime. Po 30 realizoi edhe LaVine i Bulls.

Një kosh i shënuar nga Kelly Olynyk në momentin e rënies së sirenës për përfundimin e takimit i dha fitoren 112-113 Miami Heat në parketin e Washington Wizards. Në “Capital One Arena” u zhvillua një sfidë tepër e ekuilibruar, me skuadrat që shkëmbenin herë pas here kryesimin, me diferencën më të thellë që shkoi vetëm 9 pikë. Gjithsesi, skuadra nga Florida pati edhe fatin me vete, pasi koshin e fundit që i dha një pikë epërsi e shënoi në limit, vetëm 2/10 e sekondës para përfundimit të takimit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency