E hëna futbollistike në Supersport, kulmon me Arsenal-Leicester
Magjia e Premier League nuk mungon në ekranin e Supersport as këtë të hënë dhe vjen me një duel vërtetë shumë të bukur për t’u parë. Në Emirates Stadium, Arsenali i Unai Emery pret Leicester City-in me objektivin e vetëm të vazhdojë serinë e fitoreve radhazi dhe të jetë në ndjekje të dyshes Liverpool-Manchester City. Topçinjtë janë në kulmin e formës teksa synojnë sot fitoren e 10-të radhazi në të gjitha kompeticionet dhe të 7-ën rresht në kampionat. Me një sukses të mundshëm ndaj dhelpërave, Arsenali do të barazonte me pikë dyshen Chelsea-Tottenham dhe do të afrohej sërish në -2 nga Liverpooli dhe City. Leicester nga ana tjetër ka grumbulluar 12 pikë në 8 ndeshje teksa regjistron 4 fitore dhe 4 humbje dhe situata nuk është shumë premtuese në kampin e Claud Puel edhe pse objektivi i Jammy Vardy-it me shokë është një vend në 10-shen e parë të Premier League. Sot në mbrëmje luhet edhe sfida e fundit që do të mbyllë javën e 9-të të Seria A. Në Luigi Ferraris, Sampdoria pret Sassuolon. Të dyja skudrat kanë bërë mirë në këtë fillim sezoni dhe ndahen nga vetëm 1 pikë në renditje edhe pse forma e Sassuolos po vjen në rënie pasi ka pësuar dy humbje në dy ndeshje e fundit. Sampdoria me një fitore sot në shtëpi do të ngjitej në kuotën e 17 pikëve, duke blinduar përkohësisht vendin e 5-të dhe shumë afër Lazios së vendit të 4-ët.



