Muzaka: Nuk firmos për barazim ndaj Partizanit, presidenca korrekte me pagat!
Gjergji Muzaka ishte i ftuari special në emisionin Zona Gol në Supersport mbrëmjen e të dielës. Mesfushori veteran i Skënderbeut doli shumë shpejtë nga fusha në sfidën ndaj Kamzës për shkak të një dëmtimi. Nuk dihet ende shkalla e lëndimit por Muzaka shpreson të jetë në fushë të premten në supersfidën ndaj Partizanit.
“U zëvendësova në minutën e 27-të, kisha një kontraktim në pjesën e pasme të kofshës. Shkalla e dëmtimit mbetet për tu parë në ditët në vazhdim, shpresoj të jetë diçka e lehtë dhe të jem në fushë të premten ndaj Partizanit”.
Muzaka foli edhe për rivalitetin në garën për titull.
“Kampionati është më i rivalizuar se çdo vit tjetër, pavarësisht se jemi mësuar të jemi në këto pozita në tetë vitet e fundit. Rivalët direkt? Vështirësitë më të mëdha nuk i kemi patur me kundërshtarët që kemi në renditje, por me ekipet që ndodhen shumë më poshtë nesh. Jemi të kënaqur me ecurinë gjatë fazës së parë, edhe pse kemi bërë hapa fals. Por, paraqitjet e mira dhe rezultateve pozitive me rivalët, kjo na jep shpresa për tre fazat e mbetura të kampionatit. Rivalët tanë që janë në vend të parë nuk janë mësuar dhe duhet parë nëse do të jetë në gjendje që ta mbajë këtë pozicion deri në fund. Në anën tjetër, ne jemi mësuar me këtë pozicion”.
Ndaj Partizanit edhe pse luhet në kryeqytet Skënderbeu do të zbresë në fushë vetëm për fitore pasi barazimi nuk e kënaq absolutisht Muzakën.
“Absolutisht që nuk firmos për barazim. Do të shkojmë si në çdo ndeshje për të fituar. Pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë. Për ne nuk ka rëndësi nëse luajmë ndaj vendit të parë apo vendit të fundit. Ndaj rivalëve kemi fituar lehtësisht deri më tani dhe na lind e drejta të pretendojmë të marrim maksimumin. Më pas, rezultatin do ta vendosë fusha, ku do të fitojë ekipi që do ta meritojë më tepër”.
Muzaka shpejgoi gjithashtu se te korçarët nuk ka probleme financiare dhe presidenca është super korrekte.
“Ky ka qenë viti më korrekt nga presidenca, përsa i takon anës financiare me lojtarët. Po diskutohet për diçka që është folur vetëm në media, ndërsa nga klubi nuk ka folur askush për bojkot apo afate. Çfarë ka ndodhur është ndërmjet lojtarëve dhe klubit, e cila nuk ka ndikuar në ecurinë dhe rezultatet e skuadrës”.
Sipas Muzakës ka ende uri për të fituar të tjerë trofe.
“Vjet gjatë kampionatit erdhi vendimi i UEFA-s dhe jo vetëm që nuk ndikoi, por patëm edhe rezultate pozitive. Fituam kampionatin dhe Kupën, duke bërë një prej sezoneve më të mira të tetë viteve të fundit. Ky grup vazhdon të jetë i tillë, pavarësisht problemeve anësore që mund të ndodhin në skuadër, kur vjen dita e ndeshjes të gjithë janë të përqendruar për të vazhduar këtë lloj ecurie. Ky është një prej viteve, kur presidenca ka dhënë garancinë më të madhe financiare prej periudhës kur ka marrë drejtimin e klubit”.



