Nga Krasniqi e Muzaka deri te Radas, Shehi me “halle” para Partizanit
Është shtyrë për të hënën kryesfida e javës së 10-të të Kategorisë Superiore, me Partizanin dhe Skënderbeun që ndeshen në një përballje të drejtëpërdrejtë për kreun e klasifikimit. Një detaj ky që u shkon për shtat në kampin korçar, nisur dhe nga problemet që vijnë nga infermieria. Nga shtyrja e ndeshjes, Orges Shehi dhe stafi teknik ka përfituar për t’iu lejuar futbollistëve një ditë pushim, pikërisht të martën për rikuperimin e forcave në aspektin fizik dhe psikologjik.
Nga e mërkura puna rinis me fokusin 100% te Partizani, një sfidë e rëndësisë maksimale, por që ofron disa probleme në vigjilje për kampionët në fuqi. Në dyshim për përballjen e së hënës janë Blerim Krasniqi dhe Gjergji Muzaka, të dy futbollistët vuajnë kontraktime muskulare në kofshë dhe për momentin askush nuk mund të thotë nëse do të jenë në fushë për sfidën me Partizanin, një problem ky jo i vogël për Shehin.
Nëse për Krasniqin zgjidhja është automatike, me Oto John që ka bërë mirë sa herë që është thirrur në dispozicion, ashtu si dhe në ndeshjen e fundit ndaj Kamzës, ku shënoi golin e avantazhit, një mungesë eventuale e Muzakës i prish jo pak planet në kampin korçar. Ishte pikërisht dalja e mesfushorit nga loja në minutën e 27-të të sfidës me Kamzës që shkaktoi një lloj çorientimi në sistemin e Skënderbeut, që vuajti jo pak përballë skuadrës së Duros në vazhdimin e lojës.
Por shqetësimet për Shehin nuk kufizohen vetëm me sulmin dhe mesfushën, pasi një problem jo të vogël ofron edhe mbrojtja. Kapiteni Marko Radas ka pësuar një lëndim pas një goditje në ndeshjen me Kamzën, ku u detyrua të sakrifikonte për të qenë në fushë deri në fundin e ndeshjes. Për të është programuar gjatë ditëve në vazhdim një stërvitje e diferencuar. Gjithsesi, ndryshe nga Muzaka apo Krasniqi, për kroatin gjasat janë që të jetë gati deri të hënën e ardhshme.



