De Laurentiis: Cavani i mirë pritur te Napoli, por duhet të…
Napoli do të përballet nesër me Paris Saint Germain, në një sfidë të vlefshme për grupet e Ligës së Kampionëve, ndërsa për herë të parë do të gjejë përballë si kundërshtar, sulmuesin uruguaian, Edison Cavani, i cili shkëlqeu pikërisht te të kaltrit.
Presidenti De Laurentiis nuk e kursen lavdet për qendërsulmuesin e skuadrës franceze, ndërsa tregon edhe momentet që Cavani ka kaluar te Napoli, teksa erdhi nga një skuadër si Palermo.
“E mora nga Palermo dhe te ne mësoi të jetë një sulmues i vërtetë. Ka shënuar gjithmonë mbi 30 gola në sezon dhe na ka përfaqësuar denjësisht. Është një djalosh i shkëlqyer dhe kemi mbetur miq”, deklaroi De Laurentiis.
Presidenti i Napolit u tregua i hapur për një rikthim të mundshëm të Edison Cavanit në Itali, ndërsa shtoi se qendërsulmuesi është ideal për skemat e trajnerit Carlo Ancelotti.
“Është një sulmues i klasit të lartë dhe dyert për të te Napoli janë gjithmonë të hapura. Në momentin që do të vendosë të ulë rrogën dhe të jetojë me dy fëmijët e tij, është i mirëpritur te Napoli. Për skemat e Ancelottit do të ishte sulmuesi perfekt, por për futbollistët e sotëm, është skuadra në zemër dhe portofoli në dorë, ndaj është paga ajo që bën diferencën në marrjen e vendimeve”, tha Aurelio De Laurentiis.



