Luftëtari, Mezani u gëzohet rikthimeve në skuadër
Humbja në kryeqytet me Partizanin la shumë pikëpyetje te Luftëtari, pasi gjirokastritët rrezikonin të humbisnin sulmuesin kryesor Vasil Shkurtaj. Megjithatë, dëmtimi i 26-vjeçarit nuk është serioz dhe pritet që të jetë rregullisht në fushë për të dhënë ndihmën e tij në gjetjen e golit. Ky është një lajm i mirë për trajnerin Gentian Mezani, që duhet të rikuperojë së bashku me ekipin pikët dhe pozicionet në renditje.
Por rikthimi i Shukrtajt në skuadër nuk është i vetmi lajm i mirë që vjen nga infermieria për trajnerin vlonjat. Ndaj kastriotit pritet që të ketë një minutazh më të madh në dispozicion të fantazistit Eduart Rroca, i cili u rikthye nga dëmtimi 5-mujor në sfidën e fundit të fazës së parë, në “Selman Stërmasi” ndaj Partizanit. 25-vjeçari pritet t’i japë më shumë cilësi fazës sulmuese të Luftëtarit, që ka krijuar fizionomi sulmuese nën drejtimin e Mezanit.
Gjithashtu me grupin prej kohësh është bashkuar edhe mesfushori Albano Aleksi, i cili do të jetë i gatshëm për të dhënë ndihmën e tij pse jo që nga minuta e parë. Mesfushori shkatërrues është një lojtar shumë i rëndësishëm për bluzinjtë, qoftë për forcën që tregon në fushë dhe për grintën e tij. Ndërkohë, ka kaluar pa asgjë serioze dëmtimi i mbrojtësit Nemanja Janicic, për të cilin dyshohej se kishte probleme serioze, me 32-vjeçarin boshnjak që do të jetë në dispozicion të trajnerit Mezani.



