Serie A

Interi “shkatërron” Lazion dhe ngjitet në vendin e dytë

Interi rikthehet në “Olimpico”, atje ku mbylli mes lotësh gëzimi sezonin e kaluar, pasi siguroi pjesëmarrjen në Champions, ndërsa këtë herë merr një tjetër fitore përballë Lazios, dukshëm më bindëse sesa ajo e Majit të kaluar.

Zikaltrit arritën të dominojnë takimin thuajse gjatë gjithë 90 minutave dhe të triumfojnë me rezultatin e pastër 0-3, duke befasuar jo pak të besuarit e Inzaghit, që treguan edhe njëherë se nuk janë gati të përballen me skuadrat e mëdha italiane.

Sfida ishte në dyshim për t’u luajtur deri pak orë para startit, për shkak të motit të keq, që kishte pllakosur mbi Itali, ndërsa edhe pjesa e parë u luajt nën reshje të rrëmbyeshme shiu, që gjithsesi nuk e ndalën spektaklin në fushë.

Zikaltrit e Spallettit morën kontrollin e lojës që në fillim dhe filluan të zhvendosen në gjysmëfushën laciale, ndërsa rastin e parë të rrezikshëm e regjistruan në minutën e 9’, kur Perisiç ktheu një top në zonë, por Icardi nuk arriti ta shtyjë në rrjetë, vetëm pak centimetra larg vijës fatale.

Gjithsesi Interi ishte aty, në kërkim të golit, i cili nuk vonoi dhe erdhi në minutën e 28’, kur pas disa kombinimesh të shpejta në zonë, Icardi e pa veten përballë Strakoshës dhe arriti të shtyjë me lehtësi topin në rrjetë, duke kaluar në avantazh të tijtë.

Reagimi i lacialëve ishte i vakët, ndërsa dyshja sulmuese Immobile-Caicedo, nuk arrinin të gjenin hapësira mes mbrojtësve zikaltër, që mbyllnin mirë dhe mbanin rrezikun larg portës së mbrojtur nga slloveni Samir Handanoviç.

Në minutën e 41-të, zikaltrit gjetën edhe golin e dytë, këtë herë me anë të mesfushorit Marselo Brozoviç. Krosimi i Joao Marios në zonë u largua nga mbrojtësit bardhekaltër dhe topi shkoi te kroati, i cili nga një distancë prej rreth 25 metrash, gjuajti me zgjuarsi dhe dërgoi topin në cepin e poshtëm të portës së Strakoshës, duke e ndalur në rrjetë.

Me avantazhin e dy golave për Interin, u mbyll edhe pjesa e parë e takimit, ndërsa fillimi i 45-minutëshit të dytë pa Lazion dukshëm më agresive dhe me synimin për të rihapur takimin, por tentativat për gol, rezultuan të pasuksesshme.

Atë që nuk e bënë të zotët e shtëpisë, e bënë mjaft mirë zikaltrit e Spallettit, që në një kundërsulm të shpejtë në minutën e 70’, gjetën edhe golin e tretë, falë një veprimi mjaft të bukur në zonë, të kapitenit Icardi, i cili shënoi edhe golin e dytë personal për këtë mbrëmje.

Ky gol “preu gjunjët” e djemve të Simone Inzaghit, që humbën logjikën e lojës dhe i dhanë mundësinë Interit që të administrojë qetësisht avantazhin e thellë prej 3 golash, që i dha edhe fitoren e 6 radhazi në kampionat.

Pas kësaj jave, Interi ngjitet në vendin e dytë, në kuotën e 22 pikëve, po aq sa ka edhe Napoli i vendit të tretë dhe 6 pikë më pak se Juventusi, që vijon të kryesojë bindshëm kampionatin italian, duke “vrapuar” drejt titullit të 8 radhazi.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency