Torino “shpartallon” Sampdorian, Ventura fundos më keq Chievon
Deri para dy javësh Sampdoria kishte mbrojten më të mirë të Serie A me vetëm 4 gola të pësuar në 9 javë, por në vetëm dy ndeshje prapavija e skuadrës së Giampaolos është shpërfyturuar duke pësuar plot 7 gola, 3 ndaj Milanit të dielën e kaluar dhe plot 4 sot ndaj Torinos në Marassi. Skuadra e Mazzarrit vijoi momentin pozitiv në kampionat duke marrë një fitore të madhe me rezultatin 1-4 në fushën e Sampit dhe duke parakaluar pikërisht dorianët në renditje me Torinon që u ngjit në vendin e 7-të në kuotën e 17 pikëve. Belotti që realizoi dy herë, Iago Falque dhe Izzos ishin autorët e golave për Torinon ndërkohë që finalizimi i vetëm i Sampdorias mban firmën e veteranit Fabio Quaglliarela. Nuk erdhën as këtë fundjavë pikët e para për Chievon me Gian Piero Venturën në stol. Humbja e 6-të radhazi për skuadrën veroneze dhe e treta me Venturën në krye erdhi në stadiumin Bentegodi ndaj Sassuolos që triumfoi me shifrat 0-2 falë finalizimit të Di Francescos dhe autogolit të Giacherinit. Barazuan pa gola mes tyre dy skuadrat e ardhura nga Serie B, Parma dhe Frosinone në stadiumin Ennio Tardini.



