Hallaçi: Vlerësime për Tiranën, por na duhen 3 pikët
Në prag të ndeshjes së javës së 12 të kampionatit, mes Tiranës dhe Kukësit në kryeqytet, zëvendës trajneri i skuadrës veri-lindore, Rrahman Hallaçi, doli sot në një konferencë për shtyp, ku foli për gjendjen e ekipit.
Ish kapiteni i Kukësit pranoi vështirësitë që skuadra ka pasur për të marrë rezultate, por evidentoi lojën e mirë ,që jep shpresa për më shumë pikë në të ardhmen, ndërsa theksoi se kreu nuk është larg dhe se veri-lindorët janë ende në garë për titullin kampion.
Rrahman, ekipi ka pësuar ulje e ngritje gjatë Kampionatit. Si shpjegohet kjo?
Është normale që ndonjëherë përballemi me vështirësi duke ditur që shumica e lojtarëve janë bërë pjesë e ekipit gjatë merkatos së fundit, por pavarësisht kësaj, ajo që na motivon më shumë është që këta futbollistë, të cilët janë afruar së fundmi, po futen në ritmin e lojës që kërkojmë. Një garanci për ne është loja, e cila është në rritje në vazhdimësi. Kuptohet që nuk ndihemi mirë kur përballemi me rezultate negative, por ajo që na jep siguri në të ardhmen është loja në rritje sidomos në pjesët e dyta, ndërkohë që që po punojmë për eliminimin e gabimeve të cilat do të na japin mundësinë e marrjes së rezultateve.
Skënderbeut dhe Partizanit kanë nisur shkëputjen…
Nuk them se jemi mbrapa sa i takon titullit kampion pasi nuk janë shkëputur shumë pikë, si Partizani ashtu edhe Skënderbeu pavarësisht që këto dy ekipe po bëjnë mirë dhe është normale që do të përballen me momente jo të mira pasi kampionati është i gjatë.
Do të përballeni me Tiranën, që gjithashtu po kalon vështirësi…
Tirana është e vlerësuar gjithmonë sepse ka histori të madhe, por edhe referuar ndeshjes së fundit mendoj që i ka munguar fati për të arritur tek fitorja, por ndërkohë neve nuk na lejohet të bëjmë më hapa fals, ndaj e kemi vlerësuar maksimalisht këtë takim, për të marrë fitoren.
Skuadra shpërdoron shumë raste…
Është e vërtetë që krijojmë shumë raste dhe volum loje, por kuptohet që nuk është e lehtë të shënosh gol. Për ne është e rëndësishme është që ekipi të arrijë përballë portierit kundërshtar, por edhe duhet të jemi të saktë duke shënuar, sepse në këtë mënyrë fitohen pikët.
Si është situata me dëmtimet?
Kemi pasur disa dëmtime si ajo e Musollit dhe mbrojtësit të majtë, Simo Rrumbullakut por e rëndësishme është që kemi kontigjentin e duhur për ndeshjen me Tiranën.



