Shehi: Nuk pati strategji me Bregun, më pëlqeu reagimi i skuadrës
Orges Shehi, në intervistën e dhënë për Supersport, u shpreh mjaft i kënaqur me reagimin e skuadrës së tij, që la pas humbjen ndaj laçit dhe mposhti Flamurtarin me rezultatin minimal 1-0.
A ishte ky reagimi që donit pas humbjes ndaj Laçit?
Sigurisht, sot ishte një ndeshje ndryshe. Në minutat e para kundërshtari po na vinte në rrezik, por pastaj pjesa tjetër e ndeshjes ishte aty ku donim, të ndërronim fytyrë nga ajo ndeshje e mesjavës ndaj Laçit.
Çfarë ndodhi në ato 32 minuta lojë, ku vlonjatët ishin dominues?
Flamurtari po na rrezikonte me topat e gjatë, por pas pjesës së parë, i thashë skuadrës që nuk duhet të hyjë në presion, gjë që pjesën e dytë e rregulluam.
U tha se Bregu ishte i dëmtuar, por ai luajti dhe shënoi duke vendosur takimin. A ishte kjo një strategji e juaja?
Bregu sinqerisht që ka pasur një dëmtim dhe ka luajtur me injeksion sot. Duke ditur rëndësinë e tij, donim ta kishim patjetër në fushë. Ka bërë sakrificë, nuk është skemë. Ka qenë çështje dëmtimi dhe shyqyr u rikuperua. E shpërbleu edhe atë këmbëngulje që e donim në fushë.
Me frakturë, specialistët thonë që nuk mund të luajë…
Jo, nuk është frakturë. Ai ka marrë një goditje në gishtin e madh të këmbës së djathtë dhe ai godet edhe me të djathtën. Atij i ka mbledhur gishti dhe ka një dhimbje të madhe, por me ndërhyrjen e mjekëve dhe me injeksione ia doli.
Ekipi ndryshoi për mirë në pjesën e dytë. Çfarë ndodhi në dhomën e zhveshjes?
Pas pjesës së parë i kam kërkuar skuadrës qetësi, sepse ishim në presion dhe po gabonim topat e thjeshtë. U kërkova ta luanim lojën siç dinë ata, edhe pse rezultati na duhet me patjetër. E përmirësuan këtë gjë në pjesën e dytë dhe shkuam te fitorja.
Të shqetëson fakti që Partizani nuk ndalet?
Normal që pas ndeshjes tënde, do pyesësh edhe për rivalin. Do donim që të ndalohej, por kur bën punën tënde mirë, atëherë duhet të pyesësh për të tjerët. Kampionati është i gjatë, ndeshjet janë të vështira dhe kjo po shihet çdo javë. Me të gjitha mund të fitosh, me të gjitha mund të humbësh. Ne do vazhdojmë punën tonë.



