Kombëtare

Shqipëria harron Skocinë, fitore shpresëdhënëse ndaj Uellsit!

Shqipëria jep shenja jete pas asaj humbjeje turpëruese ndaj Skocisë, të shtunën në Loro Boriçi. Kuqezinjtë triumfuan 1-0 në miqësoren ndaj Uellsit të luajtur në Elbasan Arena duke u rikthyer te rezultatet pozitive. Një fitore shpresëdhënëse edhe për trajnerin Christian Panucci që kërkon të konfirmohet në stol nga presidenti i FSHF Armand Duka edhe për eliminatoret e kampionatit europian të vitit të ardhshëm. Ndryshime të vogla në formacionin e kuqezinjëve me Panuccin që aktivizoi më të mirët ndërsa i dha një fanellë titullari nga minuta e parë mbrojtësit Ardjan Ismajli por edhe Andi Lilës si mesfushor. Edhe pse e nisi lojën pa dy yjet e ekipit Bale dhe Ramsey, britanikët dominuan pjesën e parë me Shqipërinë që vetëm mbrohej dhe arriti të ruante rezultatin e bardhë 0-0. Në fraksionin e dytë skuadra e Panuccit ishte më kërkuese, me Shqipërinë pas një aksioni të rrjedhshëm arriti të fitonte një 11-metërsh me Taulant Xhakën në minutën 58-të. Disa sekonda më vonë Balaj ekzekutoi saktë duke kaluar Shqipërinë në avantazh. Uellsianët u përpoqën të reagonin po rastet më të mira i kishte Shqipëria me Uzunin që iu afrua golit në dy tentativa. Në fund Bale pati një shans të mirë me një goditje standarte por e ndali topin në barrikadën mbrojtse. Përfundoi 1-0 në Elbasan Arena për Shqipërinë që mposhti një kundërshtar të fortë duke larguar për momentin krizën.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency