Revolucioni te moshat, Shulku dhe Mustedanagic shpjegojnë strategjinë
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, si dhe drejtori i ekipeve kombëtare, Dzemal Mustedanagic, dolën në një konferencë për shtyp për të shpjeguar ndryshimet që do të ndodhin i sistemin zinxhir të përfaqësueseve të moshave, që nga emërimi i trajnerëve të rinj deri tek strategjia që do të ndiqet me lojtarët që formohen jashtë territorit të Shqipërisë. Trajnerët e rinj të përfaqësueseve të moshave janë:
U-21 Alban Bushi
U-19 Nevil Dede
U-17 Elvin Beqiri
U-15 Armand Dama
“Do të krijojmë edhe përfaqësueset U-16, U-18 dhe U-20. Do të shikojmë nëse do të marrim trajnerë të tjerë apo do zgjedhim këta që janë. Trajnerët e ekipeve Kombëtare nuk kanë qenë në kohë të plotë, tani do të jenë të angazhuar vetëm me skuadrën që do të drejtojnë,” – deklaroi Shulku, i cil shpjegoi dhe një nga arsyet e largimit të Erjon Bogdanit nga U-19.
“Ai jetonte në Itali dhe nuk mund t’i ndiqte dot lojtarët në Shqipëri. Pjesë e tryezave dhe seleksionimeve do të jetë dhe trajneri Panucci.
Zhvillimi i futbollit të moshave është një proces. Një arsyet është dhe rinovimi. Drejtori ka menduar bashkë me ne të rinovojë stafet. Koha e ardhshme do të jetë ndryshe.
Nuk ka ndonjë lojtar shqiptar që luan jashtë shtetit dhe nuk është kontaktuar nga FSHF. Një nga objektivat që Bushi ka arritur është furnizimi i Kombëtares A me futbollistë,” – vijoi më tej Shlulku.
Drejtori i ekipit Kombëtar, Xhemal Mustedanagiç, në fjalën e tij theksoi:
“Atë që kërkoj është që të jemi të ndershëm me lojtarët. Kemi organizuar me sistem çdo gjë. Të jemi të ndershëm ndaj Federatës, futbollistëve dhe vetvetes. Në qoftë se cilido nuk është i ndershëm dhe nuk i respekton rregullat dhe kushtet atëherë nuk është për Kombëtaren.
Në futboll gjithçka është e thjeshtë, nuk ka filozofi. Unë nuk do të kem asnjë konflikt me asnjë nga trajnerët. Në qoftë se do të ketë një konflikt do të ketë me rregullat dhe sistemin, jo me mua. Grupi i përzgjedhur i lojtarëve, do jetë i përzgjedhur nga të gjithë ne. Të gjithë do e respektojmë atë.
Do ketë seleksionime pozitive dhe negative. Në qoftë se do na shfaqet ndonjë element më i mirë, do futet ky dhe do dalë më i keqi. Gjithçka do të jetë transparente. Për lojtarët që do seleksionohen nga jashtë, do të vijnë vetëm ata që janë top-talent. Nuk do të vijnë më lojtarë mesatarë.
Duhet të zhvillojmë sa më shumë lojtarët shqiptarë. Do të kemi Kombëtaren U-17 dhe U-19 me lojtarë nga Shqipëria. Ata janë ata lojtarë që do të përfaqësojnë kombëtaren në eliminatoret e ardhshme. Do të organizojmë 1 herë në javë ndeshje miqësore me ekipe të forta. Kombëtarja kryesore do të jetë miks me lojtarë si brenda dhe jashtë.”




