Shkëndija bën “harakiri”, bie pas 7 fitoresh rresht!
Pas 7 fitoresh radhazi në ligën e parë maqedonase Shkëndija e Tetovës ndalet, duke pësuar humbjen e dytë sezonale. Në Tetovë kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin 0-1 nga Akademija Pandev duke i dhënë mundësi Vardarit të Shkupit ta ngushtojë në vetëm 3 pikë diferencën mes tyre në tabelën e klasfikimit falë fitores së thjeshtë 3-0 ndaj Pobedas. Kampionët në fuqi të Maqedonisë u ndëshkuan nga një gol i Krstvoskit në minutën e 26-të, duke mos arritur të reagonin për t’i ndryshuar fatet kësaj sfide. Mungesa e Besart Ibraimit për të disatën ndeshje rresht po vazhdon të ndihet te skuadra e Qatip Osmanit pasi pa sulmuesin e saj krysor Shkëndija e ka më të vështirë të gjejë golin. Rasti më i mirë për të hedhur pas shpatullave këtë humbje është fitorja në derbi ndaj Renovës në fundjavë. Në javën e 17-të të kampionatit maqedonas u luajt edhe një derbi skuadrash shqiptare me Shkupin dhe Renovën që u ndanë në barazim 1-1.



