4 javë pa fitore, Laçi largon Memellin dhe rikthen një “ish” në pankinë
Një barazim dhe një humbje në dy javët e fundit i kanë kushtuar pankinën trajnerit Migen Memellit në krye të Laçit. Presidenti Pashk Laska ka vendosur të bëjë një tjetër ndryshim në stolin e kurbinasve, duke rikthyer aty Besnik Prengën, trajneri që e udhëhoqi skuadrën në suksesin europian me kualifikimin në raundin e parë.
4 pikët në 4 javët e fundit e kanë detyruar numrin një të klubit bardhezi të mendojë për ndryshimet në stol dhe në një situatë të tillë me kampionatin në vijim, zgjidhja ideale është një njohës i mirë i skuadrës.
Besnik Prenga ka qenë në krye të ekipit gjatë verës, duke pasuar Gentjan Mezanin, për të udhëhequr Laçin drejt atij kualifikimi historik ndaj Anorthosis Famagustës. Në këtë mënyrë edhe pse kemi të bëjmë me një rikthim, Prenga është lëvizja e 4-t në stolin e finalistëve të kupës.
Largimi i tij në startin e kampionatit u pasua nga afrimi i Artan Mërgjyshit, që e udhëhoqi skuadrën për 10 javë, duke e profilizuar Laçin si një rival të denjë jo vetëm për Europën, por të frikshëm edhe për pretendentët e titullit.
Dy humbjet radhazi me Teutën dhe Kukësin i kushtuan vendin në krye të skuadrës, me zgjidhjen që erdhi pikërisht në shtëpi, pasi asistenti i tij Migen Memelli mori drejtimin e ekipit. Ish sulmuesi i skuadrës e nisi mirë me dy fitore radhazi, por 4 javët në vazhdim lëkundën pozitat duke arritur kulmin me humbjen ndaj Flamurtarit.



